Moderatori bën shaka në emision me flokët e Trumpit
Prezantuesi dhe aktori i famshëm amerikan, Jimmy Fallon, në shfaqjen e tij në kanalin NBC mundi që të prekë dhe jo vetëm kaq, flokët e verdhë të Donald Trump, një prej tipareve më të njohura të biznesmenit politikan. Fallon i tha Trump se, së shpejti mund të jetë presidenti i SHBA-ve dhe meqë kjo s’ka ndodhur ende i kërkoi të bëjë diçka jo presidenciale. Kandidati presidencial i shkoi pas lojës së aktorit dhe megjithëse shprehu dyshime, pranoi të dëgjonte kërkesë. Fallon, mes duartrokitjeve të shumta të publikut i kërkoi që t’i prishte modelin e flokëve. “Mund ta bësh, por shpresoj që njerëzit që më presin në mitingun në New Hampshire ta kuptojnë këtë”, deklaroi miliarderi. Moderatori nuk pyeti për herë të dytë dhe menjëherë zgjati dorën dhe ngatërroi flokët e Trump, të cilat shpeshherë kanë qenë në qendër të vëmendjes mbase edhe më shumë se oferta e tij politike. Megjithëse Trump tentoi, nuk mundi që t’i kthente flokët e tij në gjendjen e mëparshme.