Moderatorja e njohur rrëfen historinë e dashurisë: E kam të pamundur ta fsheh
Disa njerëz gjërat e bukura, të shtrenjta, duan t’i mbajnë vetëm për vete nga frika se mos i lëndojnë nëse i ndajnë me të gjithë. Por ka edhe të tjerë që, nëse nuk i ndajnë me të gjithë lumturitë, u duket sikur nuk u gëzohen njëlloj. Në këtë grupin e fundit bën pjesë edhe Jona Spahiu, e cila, pak muaj më parë, gjatë pushimeve të verës, bëri publike lidhjen e saj të dashurisë.
Mjaftoi vetëm një foto nga pushimet e saj me Frenkli Ymerin, partnerin e saj, dhe lajmi mori dhenë. Jona, prej disa kohësh është duke jetuar një dashuri të bukur me komentatorin sportiv të Supersport.
Si fillim, ajo e kishte të vështirë ta mendonte veten në nje lidhje me një koleg në Digitalb, por gjërat erdhën natyrshëm, gjithçka u bë normale, daljet më të shpeshta e kështu nuk kishte më vend për dyshime e frikë.
Pasditen e sotme në “Rudina”, Jona rrëfeu historinë e dashurisë, edhe pse, pas pyetjes së Rudinës, ajo u ndie në siklet: “Oh, sa turp që qenka”, – tha me të qeshur, por pa e fshehur lumturinë dhe emocionin: “Mua më pëlqen të përkujdesem për të gjithë. Mendoj se të jesh e kujdesshme ndaj detajave, njeriut që do është shumë e rëndësishme, sepse kështu mban gjallë ndjenjën”, – tregon Jona duke treguar se, meqenëse i pëlqen gatimi, i pëlqen të gatuajë shpesh edhe për të dashurin.
Ndërsa për njohjen, ajo rrëfen pak: “Ne jemi njohur në punë, ai është komentator sportiv në Supersport, jemi në departamente të ndryshme, por ishte mundësi e mirë që të takoheshin shpesh. Në fakt, për shkak edhe të mendësisë sime, më dukej e pamundur të krijoje një lidhje dhe të kapërceje raportin. Por ndodhi…”
Është e pamundur të mos e tregosh lumturinë sa herë rrethohesh prej saj. Jona e ka provuar dhe është e bindur për këtë: “Është një lidhje shumë e rëndësishme për mua. Sa herë mundohem të mos flas, e kam të pamundur të mos e tregoj sa e lumtur jam. Është e kotë ta fshehësh lumturinë”, – thotë ajo dhe është e dukshme. I lexohet në sy.