
Monika Kryemadhi u vu përballë një pyetjeje të drejtpërdrejtë nga Selin Bollati gjatë emisionit “Goca dhe Gra”, nëse do të pranonte të bëhej sërish pjesë e “Big Brother VIP”.
E pyetur nëse do të ishte pjesë e sezonit të ardhshëm të reality show-t, Kryemadhi nuk konfirmoi ndonjë rikthim, por pranoi se një eksperiencë e tillë do t’i pëlqente.
Ajo theksoi se vendimi përfundimtar nuk varet prej saj, por nga produksioni dhe ekipi që përzgjedh banorët. Kryemadhi shtoi gjithashtu se eksperienca e mëparshme në “Big Brother VIP” kishte qenë shumë pozitive dhe se kishte kaluar një periudhë të veçantë me stafin e programit.
Biseda mes saj dhe Selin Bollatit vijoi më pas me humor dhe batuta. Bollati i kujtoi Kryemadhit komentet që kjo e fundit kishte bërë gjatë kohës kur ajo ishte banore e BBV-së dhe Kryemadhi mbante rolin e opinionistes.
Kryemadhi tha se te Selin shihte shumë nga vetja e saj në një moshë më të re, ndërsa nuk munguan as ngacmimet lidhur me raportin e saj me Mirin.
Nga ana tjetër, Selin Bollati ia ktheu me humor, duke i thënë Kryemadhit se i kishte “rënë në qafë”, por se nuk kishte ndërmend të debatonte me të.
Në vijim, Kryemadhi vlerësoi mënyrën e artikulimit dhe karakterin luftarak të Bollatit, duke e lidhur këtë edhe me sfidat që, sipas saj, përballojnë gratë dhe vajzat në Shqipëri.
Ajo u shpreh se gratë duhet të jenë të forta dhe të luftojnë vazhdimisht për atë që duan, ndërsa shtoi se nënat kanë edhe përgjegjësinë t’ua përcjellin këtë frymë vajzave të tyre.
