“Mos harroni me dashtë veten”, Adriana Matoshi rrëfen se i është rikthyer tumori në tru

Aktorja Adriana Matoshi, përmes një rrëfimi të sinqertë në lidhje me jetën dhe shëndetin e saj, ka treguar në rrjete sociale se i është rikthyer tumori në tru.

“Jetës pas sfidave besoj që veç i shtohet vlera, se atëherë fillojmë të shohim të bukurën ndryshe, të vlerësojmë të drejtën, të njohim forcën e brendshme dhe të shohin dashurinë e sinqeritetin e njerëzve rreth vetes,” shkruan ajo.

Aktorja tregon se diagnostikimi me tumor në hipofizë nëntë vite me parë, në një kohë kur ishte shtatzënë, ishte një nga sfidat më të mëdha të jetës së saj. “Asnjë moment të vetëm nuk jam dorëzuar dhe as nuk kam besuar që mund të më ndodhë diçka, se dashurinë për jetën e kisha më të madhe se frikën prej vdekjes,” thotë ajo. Për shkak të stilit të jetesës, tumori i është rikthyer sërish.

“Tani, nëntë vite më vonë, duke mos pushuar kurrë sa duhet, më kapi lodhje prej angazhimeve të mia të shumta, stresi i akumuluar brenda, mbingarkesat, të gjitha më bënë të mendoj që e kam tepruar. Ia kam thyer limitet vetes. Po aty kuptova që tumori në tru ishte kthyer prap.”

Ajo shton se do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrje, të cilën e konsideron si përballje “mes jetës dhe vdekjes”. “Ama e di që rrugëtimi im do të vazhdojë se është shumë i gjatë. Kam qytete të botës pa i parë, shumë skena filmi pa shkelur, shumë role pa lujtuar, kam fëmijët që duhet t’i bëj të zotët e vetes…”

Aktorja thekson se asnjëherë nuk duhet të harrojmë veten. “Mos lakmoni shumë se as pasuria e botës, as fama, asnjë sukses e arritje në jetë nuk vijnë para shëndetit e asnjë prej tyre nuk munden ta blejnë ilaçin që të zgjat jetën,” thotë ndër të tjera.

Në vitin 2019, Adriana Matoshi rrëfeu për herë të parë në “NIN” përvojën me tumorin dhe ndikimin në jetën e saj. Në një intervistë të mëvonshme te “Rudina”, ajo tregoi se e përvoja e vështirë e bëri më të fortë dhe sot “ia di vërtet kuptimin jetës”.

SHKARKO APP