Mustafa Nano: Beteja ime për të mbrojtur magjinë e nuditetit femëror
Deklaratat e opionistit Mustafa Nano për dy gazetaret sportive Ilda Bejleri dhe Bora Zemani kanë bërë bujë këto ditë ne media. Nano në monologun e tij në emisionin që drejton kritikoi vajzat e ekranit për shkak të veshjes që ata përdorin në televizion.
Pas shumë reagimeve duke përfshirë edhe figura të tjera të njohura ne vend, Nano për ‘Panoramën’ ka sqaruar fjalët e tij, ku ndër të tjera thuhej “gjinjtë e saj po i dilnin nga ekrani i televizorit”.
“Shikoni, doni ta dini si e shoh unë këtë punë? Ky nuk është një problem i imi. As edhe një problem me dy vajza. As edhe një problem shqiptar. Është një problem i botës së sotme të hiper-eksualizuar, në të cilën vajzat e zhveshura po na faniten kudo, edhe aty ku nuk ta pret mendja, e ku lakuriqësia po shihet si një shenjë force, afirmimi e pushteti në përpjekjet për barazi gjinore. Kjo e fundit është një mufkë kolosale. Lakuriqësia nuk është shenjë afirmimi, nuk ka të bëjë me betejën e grave për barazi, të drejta e oportunitete. Sikur feministet e famshme të historisë së botës, prej atje ku janë, të shihnin në skena të mëdha koncertesh këngëtaret; Miley Cyrus, Lady Gaga, Madonna, apo edhe vajzat “tona”; Rita Ora, Bebe Rexha e Dua Lipa, që këndojnë pothuaj të zhveshura me synimin për të afirmuar kauzën e grave në botë ato do të ktheheshin përmbys në varret e tyre. Lëre pastaj të shihnin sojin e Kardashianëve. Nuk arrij dot ta përfytyroj një ditë, në të cilën një vajzë e zhveshur t’u shndërrohet djemve në një gjë të zakonshme, në një pamje rutinore. Kjo është një betejë e imja, pra, për të mbrojtur magjinë e nuditetit femëror, e cila për shumë burra, përfshirë mua, mund të shihet si një nga arsyet që ia vlen të jesh në këtë botë…” – shprehet Mustafa Nano.