Nata e parë e Eurovision-it, eventi që bashkoi kontinentin Europian (VIDEO)

Spektakli që bashkon Evropën, u rikthye mbrëmë pas anulimit të vitit të kaluar për shkak të pandemisë. Holanda është mikpritësja e këtij viti të Eurovision-it, më konkretisht Roterdami, dhe mbrëmë ishte gjysmëfinalja e parë. Gara që këtë vit sjell konkurrentë nga 39 vende përqark Europës, si dhe nga Australia dhe Izraeli, është një nga evenimentet më të mëdha të vëna në skenë që prej fillimit të pandemisë. Ajo po zhvillohet teksa kontinenti po fillon të dalë nga izolimet dhe masat kufizuese për shkak të infektimit.

Një publik prej 3.500 pjesëmarrësish, të testuar më herët për Covid-19, u lejuan në sallën Ahoy të Roterdamit, për të ndjekur performancat. 29 fitues nga gjysmëfinalet do t’i bashkohen garuesve nga pesëshja e madhe e Italisë, Francës, Gjermanisë, Spanjës, Mbretërisë së Bashkuar dhe natyrisht, Holandës mikpritëse, në finalen e madhe të së shtunës.

Në gjysmëfinalen e parë morën pjesë Lituania, Sllovenia, Rusia, Suedia, Australia, Maqedonia e Veriut, Irlanda, Qipro, Norvegjia, Kroacia, Belgjika, Izraeli, Rumania, Azerbajxhani, Ukraina dhe Malta, por vetëm 10 prej tyre kaluan fazën e parë. Gjysmëfinalja e dytë do të zhvillohet nesër në mbrëmje, në të cilën do të performojë edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, Anxhela Peristeri me këngën “Karma”.

SHKARKO APP