Në garë në ”Eurovision 2021”, janë edhe katër këngëtarë nga Kosova
Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, do të mbahet edhe pse po përballemi me situatën e vështirë të pandemisë së Covid-19. 26 është numri i artistëve konkurrues sivjet, të cilët pretendojnë për çmimin e parë, me shpresën për të fituar të drejtën e përfaqësimit të Shqipërisë në “Eurovision 2021”.
Si çdo vit, edhe këtë radhë nuk mungojnë emrat pjesëmarrës nga Kosova, të cilët në edicionin e 59-të të Festivalit të Këngës në RTSH, janë plot katër. Këngëtarja Festina Mejzini nga Gjakova, e cila ka qenë pjesë e edicionit të parë të spektaklit “X Factor Albania”, do të konkurrojë këtë vit me këngën e titulluar “Kush je ti dashuri”.
Artisti i ri Mirud, emri i vërtetë i së cilit është Durim Morina, është gjithashtu pjesëmarrës këtë vit e një këngë e cila do të titullohet “Nëse vdes”. Këngëtari i ri nga Prishtina, Fatos Shabani, ka vendosur që ta sprovojë veten për herë të parë në një garë siç është ajo e festivalit të dhjetorit, duke konkurruar me këngën me titull “Ty”.
Dhe i katërt konkurrent nga Kosova në edicionin e 59-të të Festivalit të Këngës në RTSH është këngëtari nga Gjakova, Florent Abrashi, i cili garon sivjet me këngën “Vajzë”.