”Nga e përgjakura tek e pathyeshmja”, Etnik Shala në Albania Fashion Week me një sfilatë që fuqizon gruan
Nga: Redjon Shtylla
”Albania Fashion Week”, java e modës që po mbahet këto ditë në Tiranë, nuk ishte thjesht një sfilatë, ishte një shpërthim emocionesh, një protestë e heshtur që u kthye në zë, një thirrje për çdo grua. Në natën e dytë, në mbrëmjen e së shtunës, skena u pushtua nga vizioni i stilistit kosovar Etnik Shala, i cili në skenë nuk solli thjesht fustane, por histori që të godasin drejt në shpirt.
Gjithçka nisi me të bardhën, simbol i pastërtisë, por e njollosur me gjak. Fustane që nuk kërkonin admirim, por ndërgjegjësim. Një britmë e heshtur kundër vrasjes së grave. Një realitet i dhimbshëm i veshur me art. Nën tingujt e këngës ”Nëse vdes e re” nga artistja e dashur nga publiku Tuna, çdo hap në pasarelë dukej si një plagë që refuzon të mbyllet.
Pastaj në pasarelë u shfaqën modelet që mbanin të veshura fusante në gri. Një ngjyrë që është ftohtë, e heshtur dhe që duket si e rëndë. Një grua që tërhiqet në vetvete, që mban brenda dhimbje, që fshihet pas një maske force. Gri nuk ishte thjesht ngjyrë ishte izolim, ishte mister, ishte mbijetesa në heshtje.
Dhe në fund blu. Një frymëmarrje, ngritje dhe jë rikthim tek vetja. Blu erdhi si qetësi pas stuhisë, si forcë e qetë, si një grua që nuk thyhet më. Një grua që qëndron, që beson, që ecën përpara me dinjitet dhe vetëbesim. Kjo sfilatë nuk kërkoi vetëm duartrokitje, kërkoi reflektim. Dhe i mori të dyja. Sepse kjo nuk ishte modë. Ishte mesazh. Ishte revoltë. Ishte grua.
KOHA JONË SONDAZH

















