“Një heshtje që këndon ende”, Fifi thyen misterin e Florit
Fifi ka folur pa filtra për raportin e saj me Flori Mumajesin në intervistën me Grida Dumën, në “Grida Duma Podcast”, duke u ndalur te mungesa e tij e gjatë nga muzika dhe heshtja që e rrethon.
E pyetur nga Grida Duma se çfarë po ndodh me Flori Mumajesin dhe botën e tij artistike, Fifi u shpreh se nuk ka asnjë informacion të sigurt për të.
“Unë nuk e di fare as çfarë bën Flori, as si është Flori. Kam pyetur, por përgjigjet që kam marrë nuk më kanë pëlqyer”, tha ajo, duke shtuar se pa folur drejtpërdrejt me të, nuk i beson asgjëje që thuhet.
Sipas Fifit, rreth Florit qarkullojnë shumë fjalë që shpesh rezultojnë të pavërteta. “Thuhen shumë llafe dhe dalin të mos jenë të vërteta”, u shpreh ajo gjatë bisedës.
Në një nga momentet më emocionale të intervistës, Fifi e quajti Flori Mumajesin “muzën time artistike përjetësisht”, duke pranuar se komunikimi mes tyre është ndërprerë.
“I kam të bllokuara nga ai muret e komunikimit, nuk e di pse, por uroj shumë që ai të jetë mirë”, tha këngëtarja.
Ajo theksoi se urimi i saj shkon përtej muzikës. “Jo vetëm muzika, por ai si njeri. Lum ata që kanë pasur rastin të rrinë me të”, u shpreh Fifi, duke e përshkruar Florin si një person “dhënës”.
Fifi la të kuptohet se zhgënjimi mund të ketë ndikuar në tërheqjen e tij nga skena.
“Është i zhgënjyer nga mosmarrja, prandaj ndoshta është në atë gjendje që është”, tha ajo, duke shtuar një tjetër këndvështrim mbi heshtjen e gjatë të artistit.
Rrëfimi i Fifit në “Grida Duma Podcast” riktheu vëmendjen te Flori Mumajesi, një nga emrat më të dashur të muzikës shqiptare, mungesa e të cilit vazhdon të ngjallë interes dhe pikëpyetje te publiku.
KOHA JONË SONDAZH

