Njësh me natyrën; intervistë me Arian Mavriqi, fotografin profesionist të “botës së egër”

Bisedë me Arian Mavriqi, fotograf profesionist i “botës së egër”- Nilda Halili 

Njihuni me Arian Mavriqi, fotograf i kafshëve të egra në Kosovë dhe jo vetëm, i cili është i pasionuar pas ruajtjes së jetës së egër dhe ndarjes së këtij mesazhi me pjesën tjetër të botës përmes fotografisë së tij. Ai ka krijuar një portofol të jashtëzakonshëm dhe puna e tij gjendet kudo në multimedia, dhe po ashtu është udhërrëfyes për vëzhgimin e shpendëve. Personalisht e kam njohur Arianin përmes rrjeteve sociale dhe jam dashuruar me fotot dhe videot unike të botës së egër. Për “Koha Jonë”, Arian Mavriqi do të na tregojë për pasionin e tij, fokusin e përditshmërisë së fotografisë së tij, nga ku e merr frymëzimin dhe disa nga sfidat me të cilat është përballur si një fotograf i këtij zhanri të vështirë.

Përshëndetje z.Arian Mavriqi, faleminderit që u bashkuat me ne në këtë intervistë! Për lexuesit tanë që nuk janë të njohur me punën tuaj, a mund të na tregoni pak për veten tuaj?

Unë jam nga Kamenica e Kosovës, jetoj këtu, dhe mendoj dhe pjesën tjetër të jetës ta vazhdoj këtu, sepse me pëlqen ky vend, është vend i rrethuar me male, kemi një lum, kemi një liqen të vogël, mbi të gjitha kemi një larmi të kafshëve të egra të cilat më mundësojnë t’i xhiroj dhe të kënaqem me ato pamje.

Kur ka nisur konkretisht karriera juaj si fotograf i kafshëve të egra?

Nga viti 2012, kam filluar të merrem me fotografi, fillimisht me natyrën, mandej me ca “macro”, por më së shumti e gjeta veten tek “wildlife” apo bota e egër, në fokus të veçantë kafshët e egra.

Në profilin tuaj në Facebook më së shumti gjen video dhe foto nga Kosova. Cila është veçoria e atdheut tuaj që e bën atë një vend kaq të mrekullueshëm për të fotografuar zogj dhe kafshë të tjera? Çfarë mund të gjendet në Kosovë, që nuk mund të gjendet askund tjetër në Tokë?

Ka shumëçka që kemi të bukur në këtë vend, dua ta veçoj gjetjen e folesë se Lejleku të zi në Kamenicë, Kosovë, që ishte për herë të parë e gjetur në trojet shqiptare, për më shumë për herë të parë në tërë Ballkanin. Ne i vendosëm GPS kësaj specie dhe i ndjekim rrugët e shtegtimit që i bënin deri në Afrikë, e njeri nga dy individët kaloi me se 9 shtete, Kosovë, Serbi, Maqedoni, Greqi, Turqi, Siri, Izrael, Egjipt dhe momentalisht është në Sudan, dhe presim tutje se çka do ndodh me të.

A keni një park kombëtar, një vend të shenjtë apo të preferuar që ju pëlqen ta vizitoni për të fotografuar? Çfarë ka të veçantë ky vend?

Po, edhe Rugova dhe Malet e Sharrit, aty mbi të gjitha është prani e Rrëqebullit Ballkanik, specie kjo e rrezikuar për zhdukje, por është edhe Ariu i murrmë, dhia e Egër, kaprolli e çka jo tjetër.

Cila është fotoja juaj më e paharrueshme?

Është dhia e egër në Bjeshkët e Nemuna, është fotografia më e mirë e realizuar në trojet Shqiptare ndonjëherë, dhe prandaj edhe quhet Mbretëresha e Bjeshkëve të Nemuna.

Për cilin imazh jeni më shumë krenar? Ose më mirë a ka ndonjë imazh të veçantë që keni krijuar që mendoni se përfaqëson punën tuaj dhe që dëshironi t’ia komunikoni botës?

Video e realizuar e Shqiponjës “Opsrey” në Livoc të Gjilanit, video kjo e vetme e tillë e realizuar në tërë Ballkanin, dhe ajo më bën krenar sepse kam pritur kohë të gjatë në të njëjtin vend për të realizuar një xhirim të tillë, dhe kjo specie ishte po ashtu edhe për herë të parë e regjistruar në të dhëna shtetërore të Kosovës.

Si mendoni se ka evoluar stili juaj me kalimin e viteve?

Mundohem gjithmonë të jem në hap me kohën, ndonëse është zhanri më i vështirë i fotografisë në botë për t’u realizuar.

A keni kapur me lentën tuaj ndonjë moment të jashtëzakonshëm, por për shkaqe të ndryshme e keni humbur?

Po, njëherë e kam humbur rastin të fotografoj ujkun i cili ishte një super pozicion, po për shkak të mjegullës e humba mundësinë.

Kur fotografoni në moçale, besoj se është shumë e vështirë të menaxhoni foton. Si është të fotografosh nga një varkë? Cilat janë disa nga sfidat me të cilat përballeni në xhirime si këto?

Në moçale për fat të keq ato anije nuk janë shumë të sigurta dhe mundet që aparatura të na bie në ujë dhe te shkoj gjithçka si më keq, një rast i tillë ka ndodhur kur ishim në Kenia, Afrikë, kur po ashtu ishim të rrezikuar eventualisht nga sulmi i hipopotameve.

Na tregoni pak për fuqinë e fotografisë së kafshëve të egra. Çfarë ndikimi ka në mënyrën se si njerëzit e shohin natyrën dhe botën?

Fuqia e fotografisë na ka dëshmuar më së shumti kur shumë gjahtarë ndonëse kishin mundësi t’i vrasin kafshët e egra, sidomos kaprollin dhe macen e egër ata nuk e bënë në shenjë keqardhje për shkak të fotografive dhe promovimit të botës së egër që e bëjmë, dhe na dërguan video se si nuk i vranë por i lanë të lira.

Çfarë ju pëlqen më shumë në punën tuaj? Çfarë ju duket më sfiduese?

Më së shumti më pëlqen gjetje me fotografi të specieve të reja që do shërbenin për të dhënat shtetërore edhe ashtu kontribuoj direkt edhe në databazën e shtetit tonë.

Ku frymëzoheni?

Natyra më frymëzon shumë, por edhe jeta e kafshëve të egra.

Cila është kafsha juaj e preferuar për të fotografuar?

Është Pupëza, një shpend që është përmendur edhe në librin e shenjtë, në Kuranin Famëlartë, është shpend shtegtar dhe po ashtu njihet edhe si shpend nacional i Egjiptit dhe Izraelit.

Ju keni arritur të fotografoni gjarprin më helmues në Evropë, “Vipera amodytes”, apo siç njihet, nepërka helmuese. Mund të na zbuloni detaje nga ky moment, si ishte kjo eksperiencë?

Po, e kam fotografuar dhe xhiruar disa herë deri në detajet më të vogla, bile edhe në momentin kur sulmon, kam dashur që ta shohin të gjithë, edhe të kuptojnë se sa të shpejtë e ka sulmin që mos të tallen me të, por ta marrin shumë seriozisht sepse ai sulmon në befasi.

A keni patur momente të rrezikshme gjatë punës tuaj si fotograf?

Shumë rralle, herën e fundit kishim një përballje me Ariun me dy këlyshë të vegjël të saj, por nuk ishte agresive, por nuk do të thotë se nuk do të jetë në të ardhmen, kemi patur raste të rrëshqitje të gurve sidomos gjatë kohës kur kam shkuar për te xhiruar dhinë e egër, e aty mund të ketë raste edhe me fatalitet.

Si e mund frikën një fotograf përballë një kafshe të egër dhe aspak të mëshirshme?

Fillimisht është me rëndësi të mbahet përqendrimi, dhe mos të na kapë paniku, sepse më pas humb kontrollin mbi vetveten, duhet mare më qetësi çdo situatë, gradualisht tërhiqesh prapa dhe mundësisht mos kërkoni asnjëherë përballjen me egërsirën.

Çfarë njohurish dhe aftësish të veçanta i nevojiten një fotografi të jetës së egër?

Duhet fillimisht bashkëpunimi me ornitologë që t’i njohim speciet, mos t’i shqetësojmë nëpër fole, t’i njohim ato me emra që kur t’i publikojmë të japim edhe informacionet e sakta, por natyrisht edhe komunikimi me fotografë të botës së egër ndihmon shumë.

Cili është roli i fotografëve të kafshëve të egra në këtë moment që gjendemi përballë një krize klimatike?

Është roli më i rëndësishëm në aspektin e edukimit dhe vetëdijesimit, sidomos tani që sapo kam bërë 1 vit që ligjëroj vullnetarisht nëpër universitete, shkolla të mesme edhe ato fillore, shoh se ka dëshirë të madhe për njohuri për botën e egër.

A është e mundur përmes një fotografie të nxjerrësh karakterin e një kafshe?

Patjetër që po, varet krejt edhe momenti se si e fotografon, dhe për cilën kafshë bëhet fjalë. Pra ka momente kur edhe t’i mund të besh mrekullira.

A keni ndonjë këshillë që dëshironi t’ua jepni fotografëve që sapo kanë filluar pasionin e fotografimit të kafshëve të egra?

Sa më shumë të dalin në natyrë, të fotografojnë edhe me telefona, më pas gradualisht do shohin se bota është shumë e bukur. Edhe unë një dite fillova me një telefon, por sot jam ku jam, pra nga diçka e vogël ata mund te bëjnë diçka shumë më të madhe, ndoshta edhe një histori të tërë.

 

 

 

SHKARKO APP