Osman Mula: Zefi nuk e luajti aktorin e madh në jetën e përditshme, por ishte aktor i vërtetë në skenë
Regjisori i njohur Osman Mula në një lidhje për News 24, kujtoi aktorin e madh shkodran Zef Deda, i cili u nda nga jeta ditën e sotme. “Lajmin e mora vesh para tre minutave. Më erdhi si bombë. E ndjeva veten keq, pasi Zefin e kam pas shokun më të ngushtë që i vogël që kur kam filluar klasën e parë. Kur na shihnin në Shkodër, thoshin ku është Zefi është edhe Osmani, ku është Osmani është edhe Zefi.
Është një njeri me zemër të madhe. Shumë shpejt u pa tek ai që jetën do ta kishte në skenë. Imitonte shumë bukur që i vogël. Ishte shumë i këndshëm. Zefi ishte i sëmurë kohët e fundit. Unë isha në Shkodër para tre javëve për festivalin Luleborë dhe pyeta për Zefin dhe më thanë nuk është mirë dhe më thanë mos shko në këtë gjendje. Do ta kisha pasur shumë të vështirë. Nuk ka shkuar kurrë në Shkodër pa e parë Zefin. Zefi ka kenë një djalosh që e donte teatrin.
Zefi nuk ka kenë në estradë se ishte aktor i madh. Zefi nuk e luajti aktorin e madh në jetën e përditshme, por ishte aktor i vërtetë në skenë. Për të folur për Zefin na duhen vite. Zefi ka studiuar klarinetë, por nuk e donte këtë. Donte të kapte 70 profesione. E shihte një person me biçikletë dhe ishte i gatshëm ta analizonte me detaje. Të gjitha këta kategori të njerëzve i sillte para shoqërisë dhe shoqëria shqiptare ia pranoi”, tha ai.