Pak pas divorcit, Bill Gates hetohet për marrëdhënie intime me një punonjëse të “Microsoft”
Bordi i drejtorëve të “Microsoft-it” punësoi një firmë private avokatie për të hetuar për një marrëdhënie intime të vjetër mes Bill Gates dhe një punonjëseje të kompanisë.
Hetimi u zhvillua muaj para se miliarderi të hiqte dorë nga bordi vitin e kaluar, raporton “New York Times”.
“Microsoft pati një shqetësim në gjysmën e fundit të vitit 2019 se Bill Gates u përpoq të fillonte një marrëdhënie intime me një punonjëse të kompanisë në vitin 2000,”- tha një zëdhënës i kompanisë.
“Një komitet i bordit shqyrtoi shqetësimin, i ndihmuar nga një kompani e jashtme ligjore, për të kryer një hetim të plotë. Gjatë gjithë hetimit, ‘Microsoft’ siguroi mbështetje të gjerë për punonjësin që ngriti shqetësimin.”
Gates, bashkëthemeluesi i “Microsoft” dhe një nga njerëzit më të pasur në botë, ka tërhequr vëmendje javët e fundit pas divorcit me Melinda Gates, duke i dhënë fund një martese 27-vjeçare.
Një raport tjetër, në “The New York Times” të dielën, detajonte se si Gates dyshohet se pati marrëdhënie me disa gra që kishin lidhje me “Microsoft” dhe me fondacionin e tij, duke krijuar “një reputacion për sjellje të diskutueshme në mjediset e lidhura me punën”.
Por, sipas “Times”, ishte miqësia e Gates me Jeffrey Epstein, i cili u dënua për marrëdhënie seksuale me vajza të mitura 14-vjeçare, që e shqetësoi Melinda Gates dhe çoi në divorc.
Por zëdhënësi i Gates i mohoi këto gjëra, duke thënë se janë publikuar kaq shumë të pavërteta në lidhje me shkakun dhe divorcin e Bill-it.
Gates tha në vitin 2020 se kishte vendosur të largohej nga ordi i “Microsoft” për t’i kushtuar më shumë kohë çështjeve filantropike.