Pas dy vitesh, Adele divorcohet zyrtarisht nga bashkëshorti
Adele dhe Simon Konecki kanë përfunduar procedurën e divorcit dy vite pas ndarjes së tyre.
Këngëtarja e hitit “Someone Like You”, 32 vjeç dhe CEO i bamirësisë, 46 vjeç, tani janë zyrtarisht të divorcuar, pasi një gjykatës nënshkroi marrëveshjen të enjten, sipas “US Weekly”.
Ndarja vjen pak kohë pasi Adele u detyrua të përdorë ndërmjetësues për të ndarë pasurinë e saj prej 190 milion dollarësh gjatë procedurave gjyqësore.
Ish-çifti zbuloi se nuk ishin më bashkë në prill të vitit 2019, ndërkohë që pesë muaj më vonë, Adele paraqiti dokumentet për divorc në gjykatë.
Në prill të vitit 2020, kërkesa e Adele për të mbajtur private detajet e divorcit u miratua nga një gjykatë në Los Anxhelos.
Dyshja ka rënë dakord për kujdestarinë e përbashkët të djalit të tyre 8-vjeçar, Angelo.
Adele filloi të takohej me Simon në 2011-ën dhe në tetor të 2012-ës, ata u bënë prindër për herë të parë. Ata u martuan në fshehtësi në vitin 2016.
Konecki ka qenë i martuar më parë me stilisten Clary Fisher, me të cilën ndan një vajzë 10-vjeçare. Ata i dhanë fund martesës në vitin 2010. Një vit më vonë, ai u takua me Adele dhe thuhet se ka qenë këngëtari Ed Sheeran ai që i ka prezantuar me njëri-tjetrin.
Ndër të tjera, Adele ka humbur peshë në mënyrë drastike duke ndryshuar totalisht që pas ndarjes. Këngëtarja është kujdesur që të ushqehet shëndetshëm, si dhe të ushtrohet çdo ditë për të parë rezultate.