Pas largimit të Harry-t, Princi William: Unë dhe ai tani jemi të ndarë

Duka i Kembrixhit nuk e ka fshehur trishtimin për tensionet me të vëllain përpara atij që po përshkruhet si “samiti i krizës” në Sandringham, i thirrur nga Mbretëresha për të vendosur të ardhmen e Dukës dhe Dukeshës së Sussex.

Dy vëllezërit janë tani “entitete të veçantë”, por Princi William shpreson që çështjet të zgjidhen në mënyrë të tillë që familja mbretërore të veprojë edhe një herë si “një ekip”. William i tha një shokut të tij: “Gjithë jetën ia kam hedhur krahun në qafë tim vëllai, por tani nuk e bëj dot më, tani jemi njësi të ndara”, shkruanë Sunday Times duke cituar princin trashëgimtar të fronit.

Ai vazhdon: “ Jam tejet i trishtuar nga kjo situatë. Gjithë çfarë mund të bëjmë tani, është të përpiqemi t’i mbështesim të dy ata, dhe të shpresojmë që do të vijë sërish koha kur të flasim sërish të gjithë me të njëjtin zë”, ka shtuar ai.

Këto komente vijnë në kohën kur Mbretëresha, Princi i Uellsit Charles, William dhe Harry përgatiten të takohen ballë për ballë për herë të parë që prej deklaratave bombë të së mërkurës, kur Harry dhe Meghan thanë se do të “tërhiqeshin” nga familja mbretërore dhe detyrimet që burojnë prej kësaj, e se do ta ndanin kohën e tyre mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës së Veriut.

Çifti shtoi se do të punojnë për t`u bërë “ të pavarur financiarisht”. Takimi i së hënës do të jetë një mundësi për t`I diskutuar me kujdes propozimet e hartuara pas një serie konsultimesh mes zyrtarëve të pallatit mbretëror dhe përfaqësuesve të qeverive të Britanisë së Madhe e Kanadasë, mbi mënyrat sesi Meghan dhe Harry mund të arrijnë qëllimin e tyre për të realizuar rolet e reja “përparimtare” prej “ mbretërorësh hibridë”.

Kuptohet që Meghan, e cila ndodhet në Kanada, ka të ngjarë që në këtë takim të marrë pjesë përmes një videokonference. Burime pranë familjes mbretërore thonë se aty do të paraqiten një sërë mundësish, sepse ndryshimet në jetën e ciftit mbretëror kërkojnë “diskutime komplekse e të kujdesshme”. Ndërkohë, mbretëresha ka shprehur dëshirën që kjo cështje të zgjidhet brenda disa ditësh, e jo javësh.

SHKARKO APP