Për’Puthen, a nuk vriten vajzat nëse nuk puthen?
Nga Lorenc Vangjeli
Historia është e thjeshtë. Fare e thjeshtë. Një skenar pothuaj i rëndomtë që ndodh në mijëra forma, mënyra e personazhe të ndryshëm, por me të njëjtin thelb. Një vajzë e re tenton të ndryshojë jetën e saj. Eshtë duke lënë pas krahëve një marrëdhënie disa vjeçare. Ka parë një sezon të Për’Puthen dhe e ka vënë veten në vendin e disa prej personazheve të show-ut dhe nuk i është dukur se vlen më pak se ta, përveç fatit që i “rekrutoi” në emision në kohën e duhur.
Vendos të provojë hyrjen, e qartë se do të bëhet e famshme, se do të jetë për ca pak kohë yll i rrjeteve sociale dhe një nga qendrat e një minibote virtuale që ka gjithëkënd edhe protagonist, edhe spektator. Pret adhurim nga publiku dhe natyrisht, shumë më tepër mundësi për jetën. Pak rëndësi ka sesi ndodhi që hyri në emision, por me shumë gjasa, ka biseduar me partnerin e saj dhe kanë rënë dakort për këtë hap.
Mbase me idenë që në një moment të dytë, do të hynte edhe ai në të njëjtin Reality dhe të dilnin që aty si një çift të dashuruarish. Dhe më pas, publiku do të dashuronte dashurinë e tyre. Mbase edhe autorët e emisionit ishin pjesë e këtij skenari gjysmë letrar: shpesh fantazia është fara nga mbin realiteti dhe jo e kundërta, por ky ëhstë një detaj që nuk ka rëndësi.
Dritat e shfaqjes u ndezën dhe e para në skenë hyn vajza. E parashikuar apo jo – sërish ky është detaj i parëndësishëm – ajo sipas rregullave të emisionit, del në takim me një nga djemtë e shfaqjes. Ndoshta edhe pëlqehen. Ndjenjën, prekjen, puthjen apo edhe shtratin ata e mendojnë shumë ndryshe nga gjyshërit e tyre, që kishin lindur si gjithë dynjaja me mëkatin fillestar, por prisnin të iknin të virgjër nga kjo botë.
Në studio janë të gjithë të rinj dhe të pashëm apo siç thuhet në gjuhë televizive, janë edhe “trendy”. Gocat me dekolte dhe fustane të çarë anash deri në bel, çunat me flokë në mjekër dhe kokën përgjithësisht të rruar gati zero anash. Të gjithë janë nga ata pak shqiptarë që njihen vetëm me emër e pa mbiemër dhe njëkohësisht, të gjithë bëjnë pjesë në atë shumicë të padurueshme shqiptarësh që kur tregojnë diçka, nuk thonë unë, por i drejtohet vetes me emër: “Alvisa jua ka dhënë deklaratën e saj”, thotë Alvisa! “Nëse ka faj Hyseni, le të përgjigjet Hyseni”, thotë Hyseni. “Bashkimi nuk ka lidhje me këtë punë”, thotë Bashkimi.
Këta ishin tre personazhet e trekëndëshit që të shtunën e shkuar në mbrëmje u bë papritur më i famshëm edhe se trekëndëshi i Lul Bashës me kulme Ramën, Berishën e Metën, njerëzit që kanë kushtëzuar dhe kushtëzojnë jetën e çdo Alvise, Hyseni apo Bashkimi në Shqipëri. Madje kanë kushtëzuar edhe jetën e fëmijëve të tyre të palindur ende. Google është dëshmitar; dëshmitar me numër leximesh e shfletimesh.
Gjithçka po shkonte për mrekulli dhe këtë e vërtetonte edhe Youtube, reklamat, klikimet dhe shikueshmëria, deri në momentin kur partneri apo ish-partneri Hysen, ndjehet i zemëruar. Ai vë re se Alvisa jo vetëm po dukej bukur në ekran, por edhe po i bashkohej idesë se me Bashkimin, mbase mund të kishte një nivel tjetër njohjeje. Hyseni heq dorë nga plani i parë dhe më të drejtën që pandeh se ka mbi vajzën, i kërkon asaj të dalë jashtë nga shfaqja.
Të lerë gjithçka! “Gjobën e paguaj unë”, i thotë. Vajza heziton. I lutet. Ndoshta i kujton kohët e bukura apo edhe bashkautorësinë e planit që do t’i bënte të dy “Celebrity” dhe të klikueshëm. I thotë të ketë durim, por ai nuk tërhiqet. Ai e paralajmëron, e kërcënon, e shantazhon, i trash zërin, i tregon çertifikatën e pronësisë mbi të dhe ndoshta i numëron edhe kafet apo parfumet e dhuruara.
Deri në momentin kur me një qetësi kriminale vendos të dokumentojë gjithçka në raport me të. Metodist si oficer i policisë kriminale, në telefonin ku me gjasë ruan ende dhjetra kujtime të përbashkëta, puthje apo udhëtime, mesazhe në wts apo emoji me ngjyra, ai nis të prodhojë audio e video nga bisedat me vajzën. Të gjitha me një synim: të ketë mundësi që nëse i lind nevoja, ta “demaskojë” bashkautoren e planit si tradhëtare, si të pasinqertë dhe që kishte hyrë për të bërë lojë në lojë. Dhe kur sërish vajza nuk pranoi të dalë nga Reality, e kur ndoshta ajo kishte filluar të mendonte për një djalë tjetër, ai nuk hezitoi më.
I cënuar në namuz dhe në emër të namuzit heroik të një shoqërie që fajtor quan atë që kapet dhe jo atë që bën faj, ai bën aktin e tij dramatik. Siç bëjnë banditët me karikatorin e kallashnikovit, ai derdhi në trupin e vajzës së mjerë gjithë helmin e mbledhur me kova. E gjithë skena e linçimit ndodh “në direkte”. Kamerat e të shtunës në mbrëmje transmetojnë në Hight Definition. Vajza mbetet vetëm.
E grushtuar “live” nga ai tipi, ajo dëgjon si duartrokasin pro tij binjakët e saj në studio dhe sheh të çjerrat e vjetra të lëkurës në foto celulari. Kanë hyrë në një emision dashurie, por hormonet e moshës ju ulërijnë jo për dashuri, por për shikueshmëri. Jetojnë në një botë ku po nuk u klikove, nuk ekziston. Jetojnë në botën e Ujkut të Cërrikut, të Lek Lisit dhe Pare Plepit, të Majmunit të Karavastasë dhe Ardit EndePaDashnore, në botën e eskortave transparente që industria e medias ka nevojë t’i quajë VIP dhe në shoqërinë politike që afron si alternativë o Saliun, o Salianjin. Thjesht po kërkojnë të përshtaten, qoftë dhe duke bërë sikur Për’Puthen.
Alvisës i kërcen edhe Ariani në shpinë. Më i lexuar se gjithë të tjerët, nxjerr nga fjalori një fjalë të vjetër gjyshesh: “Dëgjo, moj Pipirickë”, është njëlloj si kollitje kallashi. Bora, ndoshta po aq e talentuar sa edhe e pashme, ndjek instiktin e gruas që i kërkon të mbushet thellë me frymë: pra, mbushet me frymë thellë dhe po instikti femëror e bën gjysmë aleate me Alvisën. Vajzat dhe djemtë e tjerë brohorasin, duartrokasin, hedhin gurë mbi Alvisën: Je e pandershme, po bën lojë! Asnjë pre’ nuk ka fat të ndryshëm në xhungël! Konomi dhe gjithë grupi i binjakëve të vajzës ju dorëzuan sharmit të gjahtarit, “pronarit” të Alvisës që tundte gishtin si prokuror sovjetik: si t’kom mbajt’ un’ ty!
Ishte pothuaj e pamundur të dëgjohej e aq më pak të dhembsej përplitja e vajzës që po tregonte se, pavarësisht të gjithave, ishte thjesht një viktimë. Se kishte përjetuar dhunë dhe kërcënime. Hyseni ulërinte nga bota e tij, bota e burrave të bindur, se kur goditet me shuplakë një vajzë, se kur i hedhin gurë në kokë një vajze apo kur i derdhin breshëri plumbash në trup, ajo me siguri ka bërë diçka për ta merituar linçimin.
Për ta vazhduar nga fundi. Arian Konomi është një djalë i mbarë dhe i mençur dhe ndoshta gjëja më e mbarë dhe e mençur që ka bërë në jetën e tij, ishte qortimi i vetes në emisionin pasardhës për atë që kishte bërë 48 orë më parë, kur egoizmi apo qoftë dhe kufizimi vetjak, e pengoi të shohë qartë se çfarë po ndodhte. Ndoshta edhe pse ju lagën sytë. Një burrë që loton, meriton respekt në çdo rrethanë.
Konomi, dënoi dhunën dhe ju bashkua si burrë mbrojtjes njerëzore, që e meriton më së pari jo thjesht kush ka të drejtë, por kush është më i dobët. Po kështu, edhe autorët e emisionit, Olsa e ndoshta edhe më tej, duke menduar me qetësi çfarë kishte ndodhur, u distancuan nga dhuna. Gjithmonë, edhe me vonëse qoftë, ka kohë që të të bëhet një punë e mbarë. Eshtë shumë më mirë sesa të mos bëhet fare.
Rrjetet sociale, aty ku çdo k…rvë mund t’i recitojë moral moralit, ku çdo budalla mund të citojë Ajnshtajnin, ku shëmtia e çdo Beti, shndërrohet në ikonë bukurie, shkalluan në klikime. Të gjithë kërkonin që të gjithë të Për’Putheshin me gjykimin përfundimtar që jepte secili. Kanë kaluar pak më shumë se tre ditë dhe ende debati vazhdon se kush e çfarë dhe pse e si, njëri apo tjetri.
Kush nuk e pranon çfarë ndodh, kush është i neveritur apo kush është i mrekulluar, ka një mundësi unike: secili mund të merret me telekomandën e tij vetjake. Por, përpara se të gjuajë me gurë, përpara se të vetëshitet si profet në turmë, le të gjejë Alvisën, Hysenin e Bashkimin tek garderoba vetjake. Madje të gjejë tek vetja edhe Konomin. Dhe po të ketë fat, le të gërvishtë nën lëkurë për të nxjerrë pak nga një grua që është shumë më e fortë sesa duket, si Bora.
Për’Puthen është pasqyra e shoqërisë së sotme shqiptare. Eshtë dëshmia se në bursën e saj, një dekolte e hapur dhe vithe të harlisura, vlejnë më shumë se diploma universiteti. Eshtë prova se nuk vlen çfarë bën, por a flitet për atë që bën! Kjo është një e vërtetë e trishtuar që gjen vërtetim si aksiomë në parlament dhe qeverisje, në media dhe gjyqësor, në Dhërmiun e verës apo Shishat e dimrit të Tiranës, në një fasoneri në Shkodër apo në një serë në Divjakë.
Zgjidhja nuk është thyerja e pasqyrës, por ndryshimi i portretit. A mund të ndodhë? A ekziston gishti i përshtatshëm për t’i hipur sipër, për t’u ngjitur aq lart në gisht sa për të parë Stambollin e përgjumur? Vështirë të thuhet! Pasqyra e thyer, siç thonë të vjetrit, sjell ters shtatë vjet rresht. Po shtatë vjet rresht duhet të mbyllet në kishë, xhami, teqe apo edhe nën qiell të hapur gjithë shoqëria shqiptare, për t’ju lutur Zotit dhe Fatit për mbarësi dhe për të uruar së paku, shëndet!