Photoshop pa masë, Endrit Mërtiri tregon pse VIP-at dalin keq
Endrit Mërtiri vijon të udhëtojë botën, të fotografojë modelet e tij të preferuara dhe të sigurojë fushata me rëndësi. E vetmja gjë që nuk vijon të bëjë është fotografimi i emrave të njohur në vend. Ka një arsye të rëndësishme pas këtij vendimi, siç e tha edhe ai vetë në “Wake Up” sot në mëngjes.
“Me modelet, ti tregon artin tënd, dëshirat e tua, çfarë do të bësh. Ndërsa me personazhet, ka disa që të ndërhyjnë te veshja, ndërhyjnë te grimi, ndërhyjnë të pozat, ndërhyjnë dhe në post produksion. Pastaj detyrohesh që edhe fotot të mos i postosh fare sepse ata kanë bërë çfarë kanë dashur. Në fund të fundit, publiku ka të drejtë që thotë sa shumë Photoshop ose nuk njihet. Kjo është diçka që hyn drejtpërdrejt te profesionalizmi”.
Kur Ori Nebiaj ndërhyri dhe tha se këta personazhe të njohur kanë ndërtuar një imazh dhe bëjnë çmos për ta ruajtur, Mërtiri iu përgjigj: “Ka personazhe shqiptarë që janë të kompleksuar dhe të shtyjnë të të dalësh nga profesionalizmi dhe detyrohesh ta bësh setin vetëm sepse nuk do t’ia prishësh ose nuk do ta mërzisësh”. Ai përfundoi, “Edhe ai perfeksioni i shumëkërkuar i ka lodhur njerëzit. Të gjithë duam të dukemi bukur, por gjithmonë ka disa limite që është mirë t’i respektojmë të gjithë”.