Politikanët, artistët dhe miqtë përcjellin regjisoren Vjosa Berisha
Familjarë, artistë dhe miq të shumtë përkujtuan sot regjisoren dhe producenten Vjosa Berisha. Në ceremoninë përkujtimore të Berishës, u vlerësua angazhimi i saj për jetën kulturore në kryeqytet dhe Kosovë. Fatos Berisha, bashkëshorti i së ndjerës mes emocioneve tha se Vjosa ka pasur shpirt luftarak, e cila nuk është dorëzuar asnjë herë para sfidave.
“Gjithë ne që jemi këtu e kemi njohur Vjosën, shpirtin e saj luftarak. Ajo nuk është dorëzuar asnjëherë para sfidave. Nuk është dorëzuar as para kësaj sfide, siç tha shoku im në Londër, ‘mos të kishin qenë sfidat, Vjosa nuk do të kishte qenë e tillë’. Ajo edhe ndaj kësaj sfide nuk është dorëzuar”.
Producenti Yll Uka tha se veprat kulturore të Vjosës do të jetojnë përgjithmonë. “Largimi i saj nga kjo jetë është humbje e madhe. Përkujtimi për të është i përhershëm dhe veprat e saj të mëdha do të jetojnë përgjithmonë”.
Nderime për Vjosa Berishën shprehu edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Regjisorja dhe producentja, Vjosa Berisha, ndërroi jetë javën e kaluar, pas një sëmundjeje të rëndë.