Pranon se kishte pasur afera me dy gra ruse, Bill Gates u kërkon falje punonjësve për marrëdhënien e tij me Epstein
Bill Gates “mori përgjegjësinë për veprimet e tij” në lidhje me marrëdhënien me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein gjatë një takimi me stafin e Fondacioni Bill & Melinda Gates, konfirmoi një zëdhënës i organizatës në një deklaratë për Reuters. Reagimi erdhi pas një raporti të publikuar nga The Wall Street Journal, sipas të cilit Gates u kishte kërkuar falje punonjësve të fondacionit për lidhjet e tij me Epstein.
Dokumente të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA tregojnë se Gates dhe Epstein janë takuar disa herë pas lirimit të financierit nga burgu, për të diskutuar zgjerimin e aktiviteteve filantropike të bashkëthemeluesit të Microsoft. Sipas raportit, Gates e cilësoi si “një gabim të madh” faktin që kishte kaluar kohë me Epstein dhe që e kishte vendosur atë në kontakt me drejtues të fondacionit gjatë atyre takimeve. Gazeta citoi një regjistrim audio nga mbledhja me stafin, ku Gates shprehej: “U kërkoj falje njerëzve të tjerë që janë përfshirë në këtë për shkak të një gabimi që bëra”.
Raporti shton gjithashtu se Gates pranoi dy marrëdhënie me gra ruse, të cilat, sipas gazetës, u zbuluan më vonë nga Epstein. Megjithatë, theksohet se këto gra nuk ishin mes viktimave të financierit. “Unë nuk bëra asgjë të paligjshme, as nuk pashë asgjë të paligjshme”, citohet të ketë thënë Gates para stafit. Dokumentet e publikuara përfshijnë edhe foto ku ai shfaqet duke pozuar me gra, me fytyrat e modifikuara. Gates ka deklaruar edhe më herët se marrëdhënia e tij me Epstein kishte qenë e kufizuar në diskutime për bamirësi dhe ka pranuar se takimet me të ishin një gabim. Sipas raportit, ai u tha punonjësve se Epstein i kishte kërkuar të realizonte foto me asistente pas takimeve, duke shtuar: “Për të qenë i qartë, unë nuk kam kaluar kurrë kohë me viktimat, me gratë që e rrethonin”. Më herët këtë muaj, Fondacioni Gates njoftoi se nuk kishte bërë asnjë pagesë për Epstein dhe as nuk e kishte punësuar atë në asnjë rol.
KOHA JONË SONDAZH

