Grimierja Eni Lena me një fushatë sensibilizuese kundër kancerit të gjirit: “Red Lipstic”, Tetori nuk mjafton!

“Jo vetëm tetori rozë, por të gjithë muajt duhet të jenë rozë”. Kjo do të plotësonte pazëllin që prej kohësh bluante në mendimet e grimieres së njohur Eni Lena.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka shpallur muajin tetor, si muajin e luftës kundër kancerit të gjirit. Fjongoja rozë shërben si një këmbanë alarmi për të gjitha gratë dhe vajzat që t’i kushtojnë më shumë vëmendje këshillave të mjekëve për tu ekzaminuar. Por të jemi realist. A mjafton kaq pak për të sensibilizuar çdo grua që të kujdeset për gjirin e saj, edhe pa pritur tetorin? Natyrisht që jo! Secila prej nesh nuk mjafton thjesht të ketë dëgjuar për kancerin e gjirit, por duhet të veprojë.

Përpara se të jetë make-up artiste e njohur, e suksesshme, Eni Lena është një grua dhe nënë. Natyrisht që profesioni që ka, duke qenë kaq pranë vajzave dhe grave çdo ditë e ka bërë të reflektojë duke sjellë në jetë këtë projekt që shënon një pikë kthese në dimensionin e saj profesional. Me penelat, buzëkuqat e saj ajo kujdeset që t’i bëjë të bukura çdo ditë, pasi e di se bukuria e bën çdo njeri të ndihet më mirë. Por ajo e di gjithashtu se mund të bëjë më shumë se kaq.

“Tetori nuk mjafton”- Kjo është thirrja që bën Eni Lena përmes 12 grave dhe vajzave që janë përballur me kancerin e gjirit duke shpresuar se pikërisht këto histori njerëzore të shërbejnë si një rikujtesë për këdo që ka në dorë të japë kontributin e tij për të përçuar mesazhin në kohë se: Asnjë grua nuk është e mbrojtur nga kanceri i gjirit, por çdo grua mund të diagnostikohet në kohë dhe të shpëtojë jetën e saj. 

Grimierja Eni Lena në bashkëpunim me kryeministrinë ju ftojnë të merrni pjesë në këtë event të rëndësishëm të quajtur “Red Lipstick”, të hënën më 15 nëntor 2021, në orën 18:00 në ambientet e Bibliotekës së kryeministrisë, COD.

 

Nilda Halili

SHKARKO APP