Reperi shqiptar dënohet në Zvicër, thirrje për dhunë ndaj politikanëve

Një reper shqiptar i njohur si Ensar Abazi (Ensy) është dënuar nga gjykata në Bazel, pasi akuzohet se ka bërë thirrje për dhunë ndaj politikanëve zviceranë. Këtë vepër ai e ka bërë duke publikuar videon në të cilën Ensy ka kërcënuar tre politikanë të SVP-së dhe studiuesen e islamit Saida Keller-Messahli, shkruan 20minuten.ch. Megjithatë, ai është lënë në lirim me kusht nga gjykata. Në masën e dënimit është përfshirë edhe një dënim për shkaktimin nga pakujdesia të një zjarri në një banesë në Pratteln, e cila është trajtuar në të njëjtin proces gjyqësor, përcjell albinfo.ch. Reperi me origjinë nga Maqedonia në këngën e tij me titull banal “Scheiss uf euch” ka kërcënuar me dhunë përveç Keller-Messahli edhe politikanët e SVP-së, Lukas Reimann, Oscar Freysinger dhe Roger Köppel. Në tekstin e kësaj kënge ai ka bërë deklarata të qarta dhune ndaj personave në fjalë, ku përmenden armët, bombardimi, dhuna, thyerja e eshtrave, helmimi etj. I përballur me gjyqin, Ensy i është referuar “lirisë krijuese dhe satirike”.  Kjo liri duhet të vlejë edhe për të, nëse politikanëve të SVP-së u lejohen shprehjet ndërsyese dhe armiqësore kundër islamit. Kënga e tij është “art, të cilin secili person mund ta interpretojë si të dojë”, ka thënë ai, duke shtuar se “teksti nuk flet për të, si njeri”. Por, për trupin gjykues e gjithë kjo nuk qëndron. Reperi në këngën e tij ka emërtuar “katër veprime shumë konkrete të dhunës si dhe emra konkretë të viktimave të kësaj dhune. Pasazhet janë të formësuara ashtu që te njerëzit të lindte ideja që këto veprime edhe t`i zbatojnë”. Bazuar në lirinë krijuese askush nuk ka të drejtë të përmendë emra njerëzish konkretë dhe të ushtrojë dhunë ndaj tyre. Abazi është liruar nga akuza e fyerjes ndaj politikanit Lukas Reimann. Bëhet fjalë për një video, në të cilën persona të cilëve u janë vënë maska me portretet e Reimanit dhe satirikut Andreas Thiel dënohen me ekzekutim për “terror mental” kundër islamit. Reimann kishte kërkuar dëmshpërblim prej 1000 frangash, por gjykata nuk e ka aprovuar kërkesën. Ensy nga ana e tij ka thënë se i vjen mirë që është liruar nga kjo pjesë e akuzës. Ndërsa dënimin për thirrje për dhunë ai e konsideron të pakuptueshëm. “Të tjerët me gjëra shumë më të rënda kanë shpëtuar pa asnjë dënim”, -ka thënë ai.

SHKARKO APP