Rita Ora pjesë e fushatës humanitare të “Evening Standard”: Historia ime si refugjate formoi gjithçka që jam sot!
Këngëtarja me famë botërore Rita Ora i është bashkuar fushatës dimërore të “Evening Standard” për të ndihmuar refugjatët, personat pa strehë dhe familjet që përballen me pasiguri ushqimore në Londër. Iniciativa mbështetet edhe nga organizata “Comic Relief”, e cila ka kontribuar me 500,000 £ për këtë nismë.
Në intervistën dhënë për “Evening Standard”, Rita ka rrëfyer historinë e saj si fëmijë refugjate nga Kosova, duke theksuar se kjo përvojë ka qenë thelbësore në formimin e identitetit të saj.
“Rritja si një fëmijë refugjat formoi gjithçka rreth asaj që jam,” u shpreh këngëtarja, duke kujtuar momentin kur familja e saj u largua nga Kosova për t’i shpëtuar përndjekjeve ndaj shqiptarëve. Ajo tregoi se prindërit e saj nisën gjithçka nga e para në Mbretërinë e Bashkuar: nëna, psikiatre në Kosovë, duhej të mësonte anglishten dhe të ri-specializohej, ndërsa babai punonte netëve për të ndërtuar një të ardhme të sigurt për familjen.
“Guximi i tyre ndërtoi themelin e jetës sime. Muzika u bë strehimi im,” tha Rita Ora.
Artistja vlerësoi gjithashtu mikpritjen dhe mbështetjen që familja e saj mori në momentet e vështira, duke theksuar se kjo e ka bërë të kuptojë rëndësinë e komunitetit.
“Njerëzit që na mirëpritën na bënë të ndihemi të pranuar dhe pjesë e diçkaje më të madhe. Kjo mirësi më ka mbetur gjithmonë në mendje. Më mësoi se komuniteti krijohet përmes dhembshurisë dhe hapjes ndaj të tjerëve,” u shpreh ajo.
KOHA JONË SONDAZH

