Romeo e Xhulieta moderne takohet për herë të parë

Një çift i njohur tashmë si “Romeo e Xhulieta” moderne, të cilët u dashuruan nga ballkonet e tyre në Verona, janë takuar për herë të parë pas zbutjes së kufizimeve të koronavirusit. Inxhinieri IT, Michele D’Alpaos, 38 vjeç, dhe avokatja Paola Agnelli, 39, ranë në sy të njëri-tjetrit gjatë një prej të famshmeve “koncerte të ballkonit” që organizoheshin në mars në Itali. Më pas ata nisën të flisnin në rrjetet sociale dhe tani pas gati dy muajsh, kanë këmbyer puthjen e parë.

Paola tha për mediat “Ne në fillim ishim të dy nervozë por gjithçka shkoi mirë. Ishte tamam siç e kishim imagjinuar si do të ishte”. Dashuria e tyre është krahasuar me tragjedinë e Shakespeare “Romeo e Xhulieta” që ishte e vendosur në të njëjtin qytet, ku Romeo thërret të dashurën e tij që qëndron në ballkon, sipas skenës së famshme. Historia moderne nisi me motrën e Paolas që luan në violinë, dhe fqinjët që dilnin në ballkonet e tyre për të dëgjuar, gjatë izolimit të koronavirusit. Vetë Paola po ndihmonte të motrën me zërin, teksa Michele dëgjonte. Ajo thotë tashmë se muzika ishte si “një shigjetë e lëshuar nga Eros”-Zoti grek i dashurisë.

“Që kur hodha sytë mbi të ishte dashuri me shikim të parë, dhe ndoshta edhe për atë, sytë tanë gjetën njëri-tjetrin. Atmosfera ishte shumë romantike”. Michele zbuloi se kush ishte Paola me anë të motrës së tij Sylvia, e cila shkonte në një palestër me të, sipas raportimeve. Tashmë pas shumë pritjesh, çifti janë takuar personalisht për herë të parë në parkun e zonës, pas zbutjes së kufizimeve. Michele tha: “Ishte e mrekullueshme ta takoja më në fund, është akoma më e bukur nga sa mendoja”. Paola tha ”Jam shumë e lumtur tani që mund ta takoj, ta përqafoj e ta puth, shkoj për ta takuar në çdo moment që kam mundësi”.

SHKARKO APP