Rona Nishliu: Muzika është gjuha më e bukur e njerëzimit

Rona Nishliu u bë e njohur, kur prezantoi Shqipërinë në Eurovizion. Ajo e vazhdon aktivitetin me grupin e saj muzikor të etno-jazz-it kudo në Europë. Së fundmi ky grup erdhi në Köln për një koncert, i ftuar nga URACult.

DW: Në albumin tuaj të fundit “Mindili” njëra nga këngët është „Mallëngjimi”. A i dedikohet kjo këngë diasporës shqiptare?

Rona Nishliu: Kur mbaruam regjistrimin e albumit atëherë pamë që plot këngë iu referohen mërgimtarëve. Mirëpo nuk ka qenë ky qëllimi, por kemi dashur të gjejmë materiale shumë të bukura dhe përveç muzikës që nuk ka autor, ajo tradicionale, të zgjedhim edhe disa këngë me autorë, të cilët jetojnë edhe tani. Kështu kam vendosur që të zgjedh këngën “Mallëngjimi”, në mënyrë që të shfaq mirënjohje edhe për kompozitorin e kësaj kënge. Nuk ka qenë diçka e llogaritur për mërgimtarët, por ka ardhur nga sinqeriteti dhe dëshira për të promovuar muzikë të mirë shqiptare. Kjo këngë i dedikohet jo vetëm shqiptarëve, por të gjithëve që jetojnë jashtë atdheut.

DW: Muzika Jazz në shqip ka arritur tanimë publikun ndërkombëtar, mund të shihet kjo edhe si një promovim i kulturës dhe traditës shqiptare në përgjithësi?

Rona Nishliu: Me thënë të drejtën për artistët që jetojnë në Kosovë është e vështirë për të promovuar kulturën tonë jashtë vendit, për shumë arsye. Por shpresojmë që në të ardhmen të mund të jemi më shumë prezentë, gjithsesi prezantimet e kulturës dhe muzikës tonë mundësohen ma së shumti nga shoqatat shqiptare, të cilat punojnë shumë atë drejtim. Në sajë të tyre jemi edhe ne këtu. Por pa dyshim do të doja të jemi shumë më prezentë për të promovuar jo vetëm kulturën shqiptare, por edhe karakteristikat e muzikës së Kosovës, sepse është një rajon shumë i veçantë nga ku vijmë edhe ne. E në albumin e dytë kemi sjellë kryesisht këngë që vijnë nga rajoni i Kosovës, me disa përjashtime të këngëve nga pjesa e Maqedonisë dhe nga jugu i Shqipërisë.

DW:  Në grupin tuaj keni edhe një muzikant nga Maqedonia e Veriut, keni po ashtu muzikë të komunitetit rom në album, a është i vështirë bashkëpunimi me muzikantët nga vendet e tjera?

Rona Nishliu: Muzika është gjuha më e bukur e njerëzimit dhe ajo ofron mundësi për të shfrytëzuar tradita të ndryshme dhe për t’i risjellë ata në variante që ne kemi dëshirë. Muzika ka bashkuar shumë njerëz, sikur këtu sonte që nuk kishte vetëm shqiptarë, por edhe njerëz nga komunitetet e tjera. Pa marrë parasysh në çfarë gjuhe këndon, muzika ju flet njerëzve, sepse është një komunikim i drejtëpërdrejtë, i sinqertë dhe shumë i pastër pa manipulime. Vetëm nga dashuria për muzikën kemi arritur të bashkëpunojmë jo vetëm me Kirilin (pjesëtar i grupit) por edhe me muzikantë nga vende të tjera të rajonit. Tani kemi një rritje të bashkëpunimit me Jazz muzikant nga Kroacia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.

DW: Çfarë roli luajn shoqata të tilla si UraCult në përhapjen e muzikës ballkanike në skenën ndërkombëtare?

Rona Nishliu: Vetëm shoqatat ndoshta e kanë të vështirë të promovojnë posaçërisht muzikën, sepse kanë edhe programe të tjera të arteve të ndryshme, gjithësesi është për t’i falënderuar për këtë inciativë që na ftuan neve edhe të gjithë artistët apo muzikantët e tjerë që promovojnë kulturat tona. Por do të kisha preferuar që jo vetëm shoqatat shqiptare si për shembull këtu në Gjermani, por edhe shoqatat e Ballkanit të bëhen bashkë dhe të sjellin diçka të veçantë nga rajoni, në një skenë të përbashkët. Ne si muzikantë mundohemi të bashkëpunojmë, pse mos të jetë kështu edhe tek shoqatat. Jo vetëm në muzikë, por edhe në film dhe artet e tjera.

Intervistën me Rona Nishliun, e zhvilloi Arbër Bajrami pas koncertit të Rona Nishliu Quartett, organizuar nga shoqata kulturore URACult në Këln. Rona Nishliu prezantoi Shqipërin në Eurovizion në vitin 2012. Në grupin Rona Nishliu Quartett janë edhe muzikantët Kiril Tufekcievski, Nesim Maxhuni dhe Edon Ramadani. Ne vitin 2015 grupi debutoi me albumin “Me motivet tona” dhe në fillim të vitit prezantuan edhe albumin e dytë “Mindili”.   

SHKARKO APP