Sadije Berisha: E lehtësuar që shpëtova nga martesa e dhimbshme dhe toksike me Shkëlzenin
Vetëm pak kohë më parë Sadije Berisha u rikthye në Tiranë për dasmën mbretërore. Një vizitë që u shoqërua me shumë lajme dhe deklarata.
Edhe pse ka vendosur ta jetojë jetën e saj larg Shqipërisë, ajo vijon të mbetet një figurë mjaft mediatike. Duket se gjithçka po ecën më së miri për Sadijen, e cila kohët e fundit ka nisur të shkruajë edhe një libër.
Një kuzhiniere mjaft e zonja, një nënë e përkushtuar, e angazhuar me punën e saj të përditshme, me një histori të bukur dashurie; është kjo jeta e re e Sadije Berishës. E nëse të gjithë po presim një libër tjetër me receta, ajo ka vendosur t’i mahnitë të gjithë.
Në një rrëfim për “GSH”, Sadije Berisha rrëfen për herë të parë planet e afërta që ka për të lançuar librin e saj të dytë, që do të jetë totalisht ndryshe nga i pari.
“Po përgatis librin tim të dytë, i cili këtë herë do të jetë një roman. Është historia e një vajze të vogël emigrante, e cila ka qenë një fëmijë i padëshiruar që në lindje. Do ta publikoj në Suedi, ndaj dhe libri do të jetë në suedisht, pastaj, nëse ndonjë shtëpi botuese do të dëshironte që ta përkthente dhe ta botonte në shqip, kjo mbetet për t’u parë. Shpresoj shumë që vitin tjetër libri të jetë në treg.
Disa pjesë të librit janë frymëzuar nga jeta ime, por siç thashë, vetëm disa pjesë nga libri. Një pjesë e shpirtit tim, të vërtetë dhe të shëruar, është brenda këtij libri. Unë shpresoj shumë që të jetë një vepër fuqizuese dhe frymëzuese për femrat, edhe pse mendoj se për disa femra do t’ia vlejë që edhe thjesht ta lexojnë”, – rrëfen Sadije Berisha për “Vip Pages” të “Gazeta Shqiptare”.
Por në një bisedë me Sadijen është e pamundur të mos flasësh për dashurinë e saj të madhe, kuzhinën. Për Sadijen është më se e vërtetë shprehja klasike “Dashuria fillon nga stomaku”.
“Pa dashuri ne ‘mendojmë’ se do të vdesim, por në fakt ne vdesim pa ushqim. Duke qenë të pangopur për ushqim, dashuri, seks dhe të mira materiale, është një pjesë e karakterit dhe nuk ka të bëjë me të besuarit në atë që është e drejtë apo e gabuar. Nuk mund të mendosh për dashurinë me një stomak bosh.
Ka një ndryshim të madh mes të ngrënës për të mbushur stomakun dhe të ngrënës për të mbushur trupin tuaj, zemrën dhe shpirtin me energjitë e duhura. Ushqimi i gatuar me dashuri, është ajo që ne duhet të hamë”, përfundon prononcimin e saj Sadije Berisha.