Sukses historik i Shqipërisë, 18-vjeçarja Drita Ziri shpallet ”Miss Earth 2023”
18-vjeçarja Drita Ziri është një prej femrave më të bukura shqiptare, dhe sot ajo është shpallur ”Miss Earth 2023”, event që u mbajt në Vientam me pjesëmarrjen e 85 vajzave nga mbarë bota, duke shënuar kështu një arritje të madhe. Një sukses i madh ky për Zirin, por edhe për Shqipërinë që fiton për herë të parë një kurorë në një garë bukurie.
Me bukurinë dhe fizikun e saj perfekt, Drita Ziri, ka tërhequr vëmendje si një prej modeleve më të bukura, duke e përfaqësuar më së miri flamurin kuqezi në Azi. Modelja nga Fushë-Kruja është e bija e një personazhi të njohur në sportin shqiptar, Blerim Zirit, gjyqtarit të futbollit.
Miss Earth është një konkurs vjetor ndërkombëtar që mbahet për të festuar “format e shumta të bukura dhe të ndryshme të faunës dhe për të promovuar më tej ruajtjen dhe mbrojtjen e planetit tonë”.
Ziri mposhti 84 konkurrente të tjera që konkurruan për titullin Miss Earth, një nga katër konkurset kryesore ndërkombëtare në botë së bashku me Miss Universe, Miss World dhe Miss International. Kjo e bëri atë mbretëreshën e 22-të të bukurisë që fitoi kurorën e shumë lakmuar të Miss Earth.
Si ambasadore e re e Miss Earth me seli në Filipine, Drita do të përfaqësojë organizatën, e cila ka avokimin e veçantë për mbrojtjen e mjedisit. Ziri pritet gjithashtu të përdorë platformën e saj për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ndikuar tek të tjerët për të ndihmuar në shpëtimin e planetit. Edicioni i vitit të ardhshëm i Miss Earth do të mbahet sërish në Vietnam.
/R.SH-Koha Jonë/