Tërhiqen Harry dhe Meghan, i kërkojnë mbretëreshës…
Bënë gjithçka për t’u çliruar nga kornizat e kurorës, por në fund, Harry dhe Meghan, kanë zgjedhur “të frenojnë” duke i kërkuar mbretëreshës Elisabetë të mund të mbeten pjesë e familjes mbretërore edhe për një vit tjetër.
Më 31 mars 2021, ai që është bërë i njohur si Megxit, do të jetë vulosur, por dukët e Sussex-it duan të mbajnë edhe pak më gjatë petkat mbretërore, shkruan tabloidi britanik “The Sun” dhe kanë kërkuar të zgjatet periudha e tranzicionit.
Rreth një vit më parë, kur Harry dhe Meghan njoftuan qëllimet e tyre për t’u ndarë nga familja mbretërore, në mënyrë që të ishin të pavarur, ishte përcaktuar një periudhë tranzicioni në përfundim të së cilës situata do të rivlerësohej.
Ish-aktorja dhe bashkëshorti, me skadencën e kohës që tashmë po afron, duan që periudha të zgjatet në mënyrë që të mos humbasin rolin e tyre në disa organizata të lidhura me familjen mbretërore, të cilat janë të rëndësishme për ta.
Vendimi tani i takon pallatit të Buckingham-it, që duhet të vlerësojë mbi të gjitha nëse marrëveshjet e nënshkruara nga dukët e Sussex-it me Netflix dhe Spotify nuk janë në konflikt me protokollin e kurorës, ndërkohë, në familje, klima është qetësuar shumë.