Tre vjet nga ndarja nga jeta e Ergi Dinit, motra e kujton mes lotësh

Tre vite më parë, bota e showbiz-it shqiptar u trondit me humbjen nga jeta të një prej talenteve të rinj të muzikës. Artisti 22 vjeçar, Ergi Dini humbi jetën në një aksident fatal me motor. Kjo humbje ishte shkatërruese për miqtë e tij e mbi të gjitha familjen.

Motra e të ndjerit, këngëtarja Barbana Dini, që prej asaj kohe, u largua nga muzika dhe daljet publike, duke u munduar të rikuperojë dhimbjen e tmerrshme. Pas tre vitesh, ajo vendosi të rikthehet në muzikë pasi sipas saj, kontakti me publikun e mbush me dashuri dhe e bën të ndihet më mirë, shkruan News31.

Në një intervistë për “Mirage” teksa ka folur për këtë tragjedi dhe rikthimin në karrierë, Barbana ka zbuluar një lajm të trishtë. Teksa është pyetur për jetën private dhe faktin se kur do ta shohim të veshur me fustanin e nusërisë, mes emocionesh ajo tregoi:

“Fustanin e bardhë nuk do e vesh kurrë. Në qoftë se do e bëja këtë hap, do e kisha bërë më parë kur i kisha të gjithë anëtarët e familjes. Tashmë nuk e shoh më si një arsye për të festuar.”

Nëse është në një lidhje apo jo, artistja preferoi që të mos e zgjaste këtë çështje duke dhënë një përgjigje të prerë:

“Ndihem mirë, kjo është pjesa që më pëlqen të zbuloj, pjesa tjetër kam dëshirë që të mbetet pjesë e imja.”

Padyshim që një humbje e tillë është një tronditje e madhe, por falë dashurisë së fansave dhe familjarëve, Barbana ka ditur ta rikuperojë dhe ta pranojë realitetin.

SHKARKO APP