U deh para se t’i shkruante Eminemit për bashkëpunim

Përkundër karrierës së suksesshme, Pink ka treguar se ka pasur emocione kur i është dashur t’i bënte kërkesë Eminemit që të bashkëpunonte me të.

Për këtë arsye, këngëtarja ishte dehur para se t’ia shkruante reperit një e-mail.

Në një intervistë për Entertainment Weekly, ajo ka treguar se kishte pirë verë para se t’i bënte kërkesë Eminemit për bashkëpunimin e titulluar “Revenge”.

“Ishim duke pirë shumë verë, pastaj shkova në shtëpi dhe mendova se ishte ide e mirë që të pija akoma më shumë”, ka treguar Pink.

Pas disa gotash të tjera, 38-vjearja më në fund kishte vendosur që të kontaktonte me reperin e famshëm dhe ta njoftonte për projektin e ri.

“I dërgova e-mail. Për këtë arsye e quajnë guximi nga alkooli. I thashë: ‘Ti e di se të dua. Më pëlqen që punon me shumë njerëz të ngjashëm, si Rihanna. Ajo është më atraktive se unë, por unë jam më gazmore. Prandaj po përpiqem ta fitoj një Grammy në rep dhe do të më pëlqente ta realizojmë bashkë”, ka rrëfyer këngëtarja.

Ajo ishte befasuar se kishte marrë përgjigje të menjëhershme nga 44-vjeçari.

“Unë ia dërgova një e-mail të gjatë, ndërsa ai ma ktheu menjëherë duke shkruar vetëm: ‘Në rregull’”, ka theksuar Pink.

Albumi i ri i këngëtares me titull “Beautiful Trauma” është publikuar më 13 tetor dhe bashkëpunimi me Eminemin është pjesë e atij albumi.

SHKARKO APP