“Unë rritesha në barkun e nënës, prindërit emigronin për në Francë”, jeta e pazakontë e Angjelin Preljocajt

I lindur në Paris nga prindër shqiptarë, Angjelin Preljocaj emigroi për në tokën franceze teksa ndodhej ende në barkun e nënës. Koreografi me famë botërore rrëfen historinë familjare për “Rudina” dhe kujton përpjekjet e familjes së tij për të ruajtur identitetin shqiptar. Preljocaj shprehet se 4 motrat e tij edukoheshin ashpër vetëm për të mos humbur këtë pjesë gjatë rritjes.

Angjelin Preljocaj: Babai im iku nga Shqipëria me vëllain e tij dhe babain e tij, pra me gjyshin tim.

Rudina Magjistari: Në çfarë viti pak a shumë?

Angjelin Preljocaj: Ndoshta në vitin 1956. Ikën nga malet dhe gjetën nënën time në Ulqin, ajo jetonte në Ulqin, fliste shqip dhe u nisën në mërgim dhe nëna ime ishte shtatzënë me mua kur u larguan nga vendi dhe gjatë gjithë rrugës, unë rritesha në barkun e nënës, ata arritën në Francë, unë linda atje në rrethinat e Parisit. Është diçka kurioze sepse prindërit e mi duke qenë se sapo kishin mbërritur në Francë, nuk e njihnin kulturën franceze, ata jetonin në një kulturë shqiptare shumë të fortë sepse kur je në mërgim që të vazhdosh të ekzistosh dhe të ruash identitetin, duhet t’i zmadhosh traditat dhe shenjat, gjërat kulturore të vendit. Ne ishim edhe më shqiptarë se sa në Shqipëri në Francë.

Rudina Magjistari: Çfarë do të thotë kjo, si e jetonit ju shqiptarinë në familje, në shtëpi?

Angjelin Preljocaj: Ishin të gjitha të zmadhuara traditat, ajo që më thoshin prindërit, mënyra si u rritën motrat e mia, unë kam 4 motra. Ne jetonim me tradita shumë të lashta, jo me tradita të shqipërisë moderne ku vajzat bëjnë ç’të duan, por një edukim shumë i ashpër për motrat e mia dhe jam munduar vërtet që t’i çliroj, iu thoja prindërve jo, po e zmadhoni, po e teproni.

SHKARKO APP