Erion Veliaj: Koncerte në Tiranë këtë vit nga Dua Lipa dhe Rita Ora
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha sot se pas finales së ”Conference League”, kryeqyteti do të fillojë përgatitjet për të pritur dy koncertet e mëdha të Rita Orës dhe Dua Lipës. Duke folur për Top News, Veliaj u shpreh se të gjithë duhet t’i gëzohen faktit se Tirana është e mbushur me aktivitete të tilla.
“Të gjithë duhet të gëzohemi kur Tiranës i vijnë aktivitete të tilla të mëdha. Me të mbyllur finale e 25 Majit, do të fillojmë pëgatitjet për koncertin e madh të Rita Orës në fund të pushimeve, dhe të Dua Lipës pranë festave të fundvitit. Duam që Tirana të jetojë çdo ditë dhe fakti se, edhe përpara kësaj ndeshje, shumica e hoteleve kanë qenë të rezervuara, do të thotë që Tiranës i kemi kthyer ditët e lavdishme para pandemisë, madje e kemi tejkaluar. Aeroporti është një bum i vërtetë! Sot kemi mbi 105 destinacione.
Pashë se të njëjtët njerëz që shajnë hotelet e reja në qendër të Tiranës, ishin të njëjtët me ata që shanin edhe për çmimet e larta të hoteleve ekzistuese. Tani këta duhet ta ndajnë mendjen: a duan të jenë gjithmonë kritikë pa logjikë të vendimeve të qeverisë dhe bashkisë? Qyteti, të paktën në zonën qendrore, duhet të ketë hotele me 5 yje, duhet të ketë kulla të larta, sepse të gjitha këto tifozeri apo aktivitete, si konferenca, seminare, kongrese, që duam t’i organizojmë në Tiranë, duhet t’i akomodojmë diku.
Ja ku jemi sot në një situatë ku, jo vetëm në Tiranë, por gjithë hotelet në Vorë janë rezervuar, hotelet në Durrës janë rezervuar, hotelet në Elbasan po ashtu, e madje deri në Shkodër. Ndaj, them se është shumë e rëndësishme që njëherë në 4 vjet ne bëjmë debate politike, pastaj kur qyteti ecën përpara dhe zhvillohet, duhet ta lëmë qytetin të zhvillohet si çdo qytetet perëndimor që ka hotele të larta, që ka qendra biznesi, që prodhojnë ekonomi, prodhojnë financë”, tha Veliaj.