Vesa dhe Big Basta vaksinohen kundër Covid-19, këngëtarja ndan detajet në rrjete sociale

Dy këngëtarët, Vesa Luma dhe Big Basta, të cilët jetojnë prej disa kohësh tashmë në Zelandën e Re, janë vaksinuar së fundmi për Covid-19.

Vesa ka treguar në InstaStory detajet e vaksinës, e cila është e llojit Pfizer Biontech dhe është kryer sot, më datën 7, nga të dy.

Gjithashtu, në letrën e publikuar dallohet qartë edhe ora e marrjes së dozës së vaksinës.

“Të vaksinuar nga Covid-19”- janë fjalët me të cilat Vesa ka shoqëruar postimin.

Prej kohësh fansat i kanë kërkuar të rikthehet në muzikë, por asnjëherë s’ka qenë momenti më i përshtatshëm për Vesën.

Fillimisht, ajo përjetoi një stres të madh me zhvendosjen në Zelandën e Re së bashku me partnerin dhe djalin e tyre, ndaj nuk ndihej e fokusuar për të sjellë projekte të reja.

Më vonë, pandemia Covid-19 bllokoi çdo plan dhe këngët e Vesës që ia kishte premtuar prej kohësh publikut, sërish u shtynë.

Mirëpo, premtimin s’e tret as dheri thonë, ndaj Vesa vonoi por nuk harroi!

Me postimin e fundit në InstaStory, ajo i ka bërë zemrat mal fansave të saj, teksa ka treguar se ndodhet në studio dhe po punon për projektin e saj të ri.

Nuk kemi të tjera detaje dhe s’e dimë nëse bëhet fjalë për një bashkëpunim me Big Bastën, të cilin fansat kanë kohë që ia kanë kërkuar.

Megjithatë, fillimi i mbarë është gjysma e punës dhe ne na mbetet vetëm të presim!

SHKARKO APP