Vesa Luma kritika kolegëve: Ju publikoni nga 200 këngë në vit, pse këndoni pa leje këngët e mija?
Këngëtarja Vesa Luma është rikthyer në Shqipëri nga Zelanda e Re. Ajo ka ndër mend që t’i rikthehet shumë shpejt muzikës, por ka diçka në tregun muzikor shqiptar që nuk po i pëlqen dhe nuk ka nguruar që ta adresojë këtë çështje. Vesa përmes një videoje të publikuar në InstaStory, ka kritikuar disa kolegë të saj nga estrada të cilët po interpretojnë këngët hite të Vesës ndër vite, në koncertet e tyre.
Interpretuesja e hitit “Jemi dhe s’jemi” u bëri apel këngëtarëve që minimumi të marrin leje nga ajo për interpretimin e këngëve të saj, dhe jo t’i këndojnë ato pa marrëveshje.
“More e kam një pyetje për ju kolegët e mi, sepse po e shoh që po më bëjnë shumë ‘tag’ (etiketim) nëpër postime në Instagram, po ju shoh duke kënduar këngët e mia në koncertet tuaja, a po ju doket e ndershme. Sepse ndërkohë jeni duke bërë nga 50 këngë në muaj, 200 këngë në vit. S’po kuptoj çka po merreni me këngët e mia një herë. Të paktën tregohuni zotërinj ose koleg nëse më cilësoni si të tillë dhe merrni leje, sepse me kënaqësi jua jap atë leje, por jo kështu sepse nuk bën”, ka thënë këngëtarja nga Prishtina.