Vipat që janë në listat për deputet, nga Edona Llalloshi tek Lumbardh Salihu
Si kurrë më parë figurat publike janë në lista për deputetë. Në listat e kandidatëve për deputetë nga radhët e LDK-së, PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje pati edhe shumë emra befasues, të cilët po luftojnë për të zënë një karrige në Kuvend. Një ndër ta ishte edhe këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Edona Llalloshi, e cila ka aderuar në Vetëvendosje, me numrin 19.
”Edona Llalloshi është ndër emrat më të dashur të skenës sonë muzikore. Në karrierën e saj tre dekadëshe, veç krijimeve cilësore është shquar për personalitet të veçantë. Ajo është pjesë e listës sonë për fitoren e madhe. Me Edonën do të jemi edhe më të përkushtuar ndaj artit e kulturës. Mirësevjen, Edonë”, shkroi Albin Kurti në Facebook.
Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë do të mbahen në fillim të vitit 2025, gjegjësisht me datën 9 shkurt. Një tjetër emër që do jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, në kuadër të PDK-së, është edhe Genc Prelvukaj. Pretendenti i radhës për karrigen e deputetit është edhe Lumbardh Salihu, si pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Fituesi i Big Brother VIP Kosova 2 u shpreh i lumtur dhe theksoi se do të japë maksimumin e tij.
Një tjetër këngëtar garon për në zgjedhjet e 9 shkurtit, por që nuk është edhe shumë i njohur për publikun. Burim Demiri nga Gjilani bëhet e ditur se do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.