Visjan Ukcenaj, ti që guxove më shumë se munde dhe po shpërblehesh me çfarë mëkon me mish e me shpirt
Nga Albert Vataj:
NË VEND TË NJË URIMI PËR DITËLINDJE
Privilegji të të kem nip, më ka stepur të shkruaj për ty kohë më parë, për të të mbështetur dhe inkurajuar, për të qen me ty në nevojë për të mos u ndjer vetëm. Kam hezituar në përpjekje për të mos shkelur në parimet e profesionit. Gjithsesi, sot në ditëlindjen tënde kam legjitimitetin të guxoj, dhe fatmirësisht kam diçka të them, siç mund të isha i nderuar të shprehesha edhe nëse ju do të zgjidhnit tjetër rrugë, larg vëmendjes së njerëzve dhe fokusit publik. Dhe kjo nuk ka lidhje se të kam përkundur në të njëjtin shtrat ku u rritëm unë dhe nëna jote, por për kurajën që pate për të besuar në përmbushjen e ëndrrës tënde. Patjetër edhe për guximin për të guxuar t’i përkasësh një bote sa të magjishme, të andshme, të bukur, ledhatare për sedrën, lakmitare për ambicien, po aq edhe të përbindshme dhe të pamëshirshme për integritetin.
Nipi im, të kam ndjekur që kur ëndrra jote e skenës sapo kishte nisur të hidhte hapat e parë. Të kam përcjellë me vlerësim dhe kritika në sfidat tuaja fillimore. Kemi biseduar dhe kemi bashkëndarë mendime për artin dhe aktrimin, për të themeltën e ngulmët, që duhet kërkuar për të qenë një identitet unik në një botë sfidash dhe kulmimesh të ethshme të përfaqësimit. Të kam përcjellë në daljet tuaja publike, ndoshta nuk jam dakordësuar me disa nga qëndrimet dhe mendimet tuaja, por kam vlerësuar guximin që ju keni shpërfaqur për të përfaqësuar veten, për të qenë i tillë në çdo prizëm të përthyerjes së reflektimit. Kam qeshur me lojën tënde në Apartamenti 2XL. DUPLEX dhe Klanifornia, siç të ndjek me adhurim dhe konstatoj një rritje të cilësishme të manifestimit të vlerave tuaja interpretuese në Portokalli.
Ti po rritesh në vite dhe në pretendimin, për të konturuar më qartë dhe më ngulmët; tipat dhe karakteret, personazhet dhe personalitetet, identitetet dhe integritete që zgjedh t’i mishërosh përmes lojës tënde, pasionit dhe shpirtjes që e shndërron aktrimin në një përfaqësim dhe përgjegjësi.
Rrugëtimi yt në këtë ngjitje shpresoj të jetë i gjatë, sepse edhe këmbëngulja, vendosmëri dhe sakrifica që të është dashur të blatosh në themelet e kësaj ëndrre janë jo të pakta. Sepse janë disa gjëra që ndodhen përtej asaj që për ne është e mundshme.
Visjan, të mbërrish deri këtu ku ndodhesh, jam i sigurt se të është dashur shumë punë dhe shumë mund, shumë përpjekje dhe pafund sakrifica. Nuk ka qenë e lehtë të bëhesh pjesë e një bote, të cilën deri dje e ke kundruar si diçka eterne dhe ëndërrtare. Dhe sot që je pjesë e saj, e kuptoj, më shumë se ti mund të thuash, se të është dashur dhjetëfish më shumë përpjekje, shumëfish më shumë besim dhe vendosmëri, punë dhe rraskapitje.
Sa e sa si ti, kanë patur ëndrrën tënde në sirtarin që kurrë nuk kanë patur fatin që ta hapin dhe janë pikërisht ata që shohin veten e tyre të shëmbëlluar te ty, të ajo që ti ke arritur dhe ajo që do të të duhet të bësh për ta çuar më tej ambicien tënde dhe për ta ngjitur më lart yllin tënd të famës.
Rruga jote qoftë e gjatë dhe shkallaret e karrierës shkofshin sa më lart. Unë besoj te ty, te personaliteti yt, te karakteri yt, te vendosmëria për të arritur gjithçka me shumë punë dhe mund, me pasion dhe dashuri të lartësuar në qëllim.
Gëzuar ditëlindjen me më të shtrenjtit tuaj, me ata që kanë besuar te ty, ata që të kanë dritën e syve dhe shohin përmes teje dhe arritjeve tuaja ç’farë kanë dashur me gjithë zemër dhe dëshiruar me gjithë shpirt.
Albert Vataj