Vjen në jetë Luxifer, flet modelja: Si ka ndryshuar jeta ime tani që jam nënë
Ajo ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave për një kohë të gjatë pasi bëri shumë bujë lidhja e saj treshe me një modele dhe partnerin e saj Jarl de Baserville. Por tashmë në jetën e tyre ka ardhur Luxifer, fëmija me dy nëna e një baba. Në një intervistë ekskluzive për «Bluetooth» të «Gazeta Shqiptare», Egla Harxhi, ish-misi shqiptar na rrëfen për jetën e saj tani që është nënë. Harxhi na tregon se si ka ndryshuar jeta në marrëdhënien treshe si dhe disa të papritura që kanë dalë në pah me ardhjen në jetë të djalit. Për më tepër në intervistën e mëposhtme.
Jeni për herë të parë nënë e një vogëlushi të quajtur Luxifer. Si ndiheni?
Po e vërtetë është hera e parë për mua kjo eksperiencë e jashtëzakonshme. Ka shumë klishe mbi ndjesitë e të qenit nënë dhe nuk do ju them të njëjtat gjëra pasi janë të vetëkuptueshme. Por dua të ndalem në një fenomen që në perëndim trajtohet shpesh nga psikologët që quhet « baby blues » ose mungesa e lidhjes me fëmijën në muajt e parë nga nëna. Ky është një fenomen normal, i cili në Shqipëri nuk flitet pothuajse aspak dhe ka shumë nëna që e vuajnë dhe nuk arrijnë dot të kuptojnë se çfarë po ndodh me to në muajt e parë të mëmësisë. Kur më informuan para se të lindja që kjo gjë mund të ndodhte dhe se ishte krejtësisht diçka normale, u ndjeva keq dhe pyetjet që me vinin në kokë se si do të reagoja ishin të pafundta. Por kjo gjë për fat të mirë jo vetëm që nuk ndodhi, por që në momentet e para që mora në krahë tim bir, ndjeva një lidhje që fjalët janë të limituara për ta përshkruar. Çdo gjë harrohet në ato momente dhe ai kthehet në epiqendrën e jetës tënde. Të qenit nënë qenka një ndjesi, e cila të mbush shpirtin me dritë dhe që në momentet e para çdo gjë merr kuptim.
U përfol shumë në media emri Luxifer që i keni vendosur djalit. Përse nuk reaguat më herët lidhur me polemikat e emrit?
Sepse polemikat e njerëzve, të cilët janë paragjykues për çdo gjë, nuk më interesojnë dhe nuk kam arsye të justifikohem për emrin që i vë fëmijës tim para askujt. Emri i djalit tim është emër hyjnor dhe në latinisht për ata që e njohin këtë gjuhë do të thotë Lux-dritë dhe fer- mbajtës, pra mbajtës i dritës dhe mendoj që është emri më i bukur në botë. Miqtë tanë dhe sidomos mjekët në Francë që sigurisht pjesa më e madhe e atyre që dinë latinisht e adhuruan këtë emër. Madje pediatri kur erdhi ta vizitonte tha: Si po shkon princi i dritës? Kështu që mendoj se polemikat le të ngelen për të palexuarit.
Kush e kishte idenë për të pasur një emër të tillë?
E ëma e Ales para se të ndërronte jetë kur ai ishte vetëm 13 vjeç, i kishte kërkuar që, nëse një ditë do të kishte një fëmijë dhe do të ishte djalë, t’i vinte emrin Luxifer. E ëma e Ales ka qenë një grua shumë e fortë, e kultivuar dhe shumë inteligjente, prezenca e së cilës ndihet ende sot. Kur Ale ma ka shprehur këtë gjë para se të ngelja shtatzënë, i thashë që është një emër i jashtëzakonshëm dhe që më pëlqen, pa e ditur që ky do të ishte emri i fëmijës tim një ditë.
Tani jeni jo më 3 por 4. Si ka ndryshuar jeta në familjen tuaj?
Ardhja në jetë e djalit ka zbardhur në jetën time shumë të vërteta dhe ka zgjuar instinktet e fjetura, të cilat sot janë më të forta së kurrë. Në mënyrë natyrale kam bërë diferencën e miqve të vërtetë dhe atyre që mendoja se i kisha miq, por në të vërtetë nuk ishin. Ka forcuar lidhjet e mia me gratë e familjes, mamaja ime, gjyshja dhe tezet. Të bën të kthehesh te vlerat dhe bazat e forta të familjes ku ti ke lindur dhe me këto baza të vazhdosh. Me familjen që ke vendosur të krijosh e çfarëdo forme është ajo. Nuk është e rëndësishme forma, por përmbajtja. Nuk kam ndryshuar mendim mbi asgjë nga ato që kam shprehur deri më sot publikisht pasi i mendoj vërtetë, por situatat dhe njerëzit ndryshojnë dhe ti kupton që shumë gjëra nuk kanë qenë të vërteta në jetën tënde. Kupton që më të shtrenjtë se familja dhe miqtë e vërtetë nuk ka dhe se ata që të duan të mirën siç ti ja do, janë të rrallë. Kur ky raport është i zhdrejtë në marrëdhënie me njerëz të caktuar, atëherë nuk ka më vend për këta njerëz në këtë rreth.
Si është forcuar lidhja me gratë e familjes meqë jemi pas 8 Marsit?
Kam kuptuar dashurinë e tejskajshme dhe sakrificat që këto gra kanë bërë gjatë jetës së tyre si nëna. Kam kuptuar shprehjen e famshme «kur të bëhesh vetë nënë do më kuptosh». Mamaja ime është një engjëll, e cila ka qenë gjithmonë aty për mua, në çdo rrethanë apo çdo moment të gëzuar dhe të vështirë të jetës time. Ka pranuar dhe ka mbështetur çdo zgjedhje timen, pa gjykuar asnjëherë, duke më lënë të lirë të bëj eksperiencat e mia, gabimet e mia, por duke qenë gjithmonë në gatishmëri për të më ndihmuar në çdo rast. Jam me fat për nënën që kam dhe mirënjohëse që sot djali im do ketë mundësinë të rritet me një gjyshe si ajo.
Si ndihet Jarl tani që është prind? A ka ndryshuar ndonjë gjë tek ai?
Mendoj është më mirë që ta pyesni vetë mbi këtë…(qesh). Ale është një person shumë i rezervuar në shprehjen e emocioneve të tij personale dhe kjo vjen nga edukimi i tij. Kjo është diçka që unë e vlerësoj shumë pasi fjalët dhe shprehja eksesive e emocioneve nuk janë më të vërteta në krahasim me veprat. Janë ato që kanë rëndësi në shprehjen e vërtetë të ndjenjave. Por mbi pyetjen nëse ka ndryshuar diçka tek ai, është pyetje retorike pasi nuk do ishte normale që mos të ndryshonte asgjë, sigurisht ai është i njëjti njeri me të njëjtat principe, por sot ka një motiv dhe një forcë më të madhe në përmbushjen e detyrës së tij si aristokrat.
Nga çfarë ka hequr dorë Egla me ardhjen në jetë të vogëlushit Luxifer?
Nuk mendoj se kam hequr dorë nga asgjë, përkundrazi sot shoh shumë më shumë mundësi se më përpara. Madje do thosha se në vend të heq dorë nga diçka, më shumë janë shtuar gjërat për të bërë. Luxifer më ka dhënë një energji dhe një forcë që nuk e kam pasur. Më ka bërë të shoh drejt përpara dhe të marr vendimet e duhura për të dhe jetën time. Por duhet të them se për fatin tim të mirë dhe jam mirënjohëse për këtë, kam mbështetje dhe ndihmë. Kjo më lejon të punoj dhe të vazhdoj një jetë me aktivitete si më përpara.
Cila është sakrifica më e madhe që është e gatshme të bëje Egla për vogëlushin?
Mendoj se nuk ka sakrifica të mëdha dhe të vogla kur behet fjalë për fëmijën tënd. Sot nuk shoh më asgjë më të rëndësishme se Luxifer dhe çdo gjë apo çdo vendim duhet marrë në të mirën e tij.
Sigurisht nuk mendoj se një nënë duhet të harrojë tërësisht veten e saj për fëmijën, pasi nëna është një qenie njerëzore, e cila ka dëshirat e saj dhe jetën e saj. Mendoj se mirëqenia e saj ndikon drejt për drejt tek jeta dhe ndjesitë e fëmijës sidomos kur është në rritje. Ndaj mendoj se në rastin më të mirë duhet të ketë një ekuilibër. Nuk e kam menduar ende se cila do të ishte sakrifica më e madhe akoma, por me bindje them se çdo « sakrificë » që do bëj do e bëj për të mirën e tij.
Me çfarë po merret Egla tani që është nënë përveçse me vogëlushin? A ju del koha të merreni me ndonjë projekt?
Në fakt, pothuaj pjesën më të madhe të kohës i jam përkushtuar birit, sepse muajt e parë ai do ketë nevojë dhe vëmendje maksimale nga ana ime. Jam me besimin që një bebe, e cila mbas lindjes krijon një lidhje të fortë dhe ndjen dashurinë dhe dritën që nena e tij i jep, ky fëmijë do të rritet me sigurinë në vetvete dhe me bindjen që atë dashuri do ta ketë gjithmonë. Por megjithatë jam përpjekur të krijojë një balancë dhe në orët, pasi që në javët e para mbas shtatzënisë me është dashur të punoj. Aktualisht po bashkëpunoj me dy studio arkitekture të bazuara në Paris dhe « Cote d’azzur », njëra quhet « Cyril Peret creatives » dhe tjetra është Atelier 12.22. Krahas kësaj një nga projektet më të rëndësishme për mua dhe, mbi të gjitha për Alen, është Libofsha.