Vladimir Putin i dorëzon pasaportën ruse aktorit Steven Seagal
Presidenti rus Vladimir Putin i dorëzoi pasaportën ruse aktorit amerikan, Steven Seagal, gjatë kësaj të premteje, ndërkohë që u shpreh se shpresonte që një gjest i tillë të shërbente si një simbol i përmirësimit të marrëdhënieve të tendosura mes Moskës dhe Uashingtonit. Në ceremoninë e zhvilluar në Kremlin, aty ku Seagal nënshkroi pasaportën e tij të re përballë Putinit, udhëheqësi rus tha: “Dua t’ju përgëzoj juve dhe të theksoj shpresën që ky të jetë një tjetër gjest, pavarësisht se i vogël, që të mund të sinjalizojë normalizimin gradual të marrëdhënieve mes vendeve tona”. E teksa Putin e pyeti mikun prestigjioz se si po ia kalonte, aktori iu përgjigj shkurtimisht. “Gjithçka shkon mirë. Do të kemi kohë të flasim. Për momentin dua të them se është nder për mua të jem këtu”. Putin, një fans i shquar i arteve marciale të praktikuara shpesh nga Seagal në filmat e tij aksion të Hollivudit, nënshkroi urdhrin në fillim të këtij muaji që i jepte nënshtetësinë ruse aktorit të famshëm. Në atë kohë, një zëdhënës i Kremlinit përmendi “ndjenjën e ngrohtë kundrejt Rusisë” të Seagal dhe famën e tij, si motive të mjaftueshme për t’i dhënë atij nënshtetësinë. Prej më shumë se një dekadë, 64-vjeçari Seagal ka qenë një vizitor i rregullt i Rusisë. Filmat e tij, si për shembull “Under Siege” apo “Sniper: Special Ops” janë tepër popullorë për rusët. Seagal është personi më i fundit i famshëm nga Perëndimi që merr pasaportën ruse gjatë viteve të fundit. Në vitin 2013, Gerard Depardieu, aktor francez ky, mori gjithashtu nënshtetësinë nga Putin. Gjatë dy viteve të fundit, marrëdhëniet mes Rusisë dhe SHBA-ve janë përkeqësuar në nivelet më të ulëta që prej Luftës së Ftohtë, kryesisht për shkak të konflikteve të armatosura në Ukrainë dhe Siri, ku Moska dhe Uashingtoni mbështesin palë të kundërta. Putin, ndërkohë, ka shprehur dëshirën që me zgjedhjen e Trump president të Amerikës, këto marrëdhënie të përmirësohen.