Vrau pa dashje kineasten dhe plagosi regjisorin, aktori flet për herë të parë publikisht: Ngjarje e tmerrshme
Pas ngjarjes së rëndë, aktori amerikan Alec Baldwin ka folur për herë të parë publikisht. Ai vrau aksidentalisht gjatë xhirimeve të filmit kineasten Halyna Hutchins. Për gazetarët, aktori tha se është në favor të kufizimit të përdorimit të armëve të zjarrit në prodhimet filmike, kjo për të mbrojtur sigurinë e njerëzve.
Baldwin u shpreh se policia e kishte urdhëruar që të mos komentonte mbi procesin hetimor. Prokurorët thonë se nuk e kanë përjashtuar mundësinë e ngritjes së kallëzimeve penale për rastin.
“Ajo ishte shoqja ime. Ditën që mbërrita në Santa Fe dhe nisëm xhirimet, e mora në darkë me Joelin. Ne ishim një ekip shumë i mirë dhe më pas ndodhi kjo ngjarje e tmerrshme”.
Alec Baldwin theksoi se ishte një prej atyre incidenteve “një në një trilion”, duke shtuar se aksidente të kësaj natyre ndodhin shumë rrallë. “Një përpjekje e vazhdueshme për të kufizuar përdorimin e armëve të zjarrit në grupe xhirimi filmash është diçka për të cilën jam jashtëzakonisht i interesuar”.