Xhelal Mziu eklipsohet nga 56 bukuroshe nga e gjithë bota (FOTO)
Bashkia e Kamzës është “pushtuar” ditën e djeshme nga 56-vajza bukuroshe nga e gjithë bota. Bëhet fjalër për konkurentet e Miss Globe 2017, të cilat kanë vizituar Bashkinë e Kamzës ku janë pritur dhe takuar me Kryebashkiakun Xhelal Mziu. Në fund të vizitës në sallën e Këshillit Bashkiak, kryebashkiaku Mziu nderoi me certifikata “Mirënjohja e Qytetit” të gjitha vajzat e Miss Globe 2017 për të pasur një kujtim të mirë nga Kamza, si dhe duke qenë në njëfarë mënyre ambasadore të këtij qyteti në mbarë botën.
Fjala e kreut të Bashkisë
“Ju falënderoj përzemërsisht për zbukurimin që i keni bërë qytetit me ardhjen sot në Kamëz! Gjatë komunikimit që kisha me mikun tim, z. Petri, më tha që ky edicion ka pasur numrin më të madh të miss-eve dhe më vjen shumë mirë që qyteti i Kamzës të ketë në njëfarë mënyre edhe rekordin e përfaqësimit me 56 miss-e. Ju keni ardhur në një qytet që këtë vit kishte 21-vjetorin e krijimit të tij, sepse para 21 vitesh ka qenë një zonë rurale dhe për shkak të migrimit pas ndryshimeve politike të viteve `90, u bë e mundur që të krijohet një qytet që para 21 vitesh kishte vetëm rreth 10 mijë banorë dhe sot ka më shumë sesa 170 mijë banorë. Është një qytet që ka ndryshuar jo vetëm për shkak të numrit të popullsisë, por edhe për shkak të infrastrukturës që ka si qytet, por edhe për sa u përket institucioneve të artit dhe kulturës. Ka një Pallat Kulture që është mjaft i mirë, ka një stadium. Pra, është një qytet i cili e ka zhvilluar dhe po e mbështet edhe sportin, edhe kulturën, edhe artin. Kemi bërë disa binjakëzime me disa nga qytetet e shteteve tuaja, çfarë do të thotë që kemi pasur rastin për të qenë në shtetet që ju përfaqësoni. Për shkak të këtyre binjakëzimeve që ne kemi pasur me qytetet e shteteve tuaja, kemi marrë mjaft eksperiencë që kemi tentuar ta implementojmë në qytetin tonë. Kemi pasur mundësinë për të qenë në disa qytete të Amerikës, të Argjentinës, të Kinës apo në shumicën e qyteteve evropiane. Kamza është një ogur i mirë dhe unë jam i sigurt që do të shërbejë për gjithsecilën prej jush për ta arritur maksimalen, jo vetëm në konkurrimin për sot, por edhe për të ardhmen. Petri Bozo, miku im, besoj që është një personazh ose një institucion, nëse do ta quaja, i cili jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë globin ka krijuar një risi, një standard në këtë konkurrim. Dhe për ne, qytetin e Kamzës, është një kënaqësi që na jepet mundësia për të qenë pjesë e këtij aktiviteti”.