Xhemi Shehu: Me Enedën s’kam pasur kurrë zënka

 

Ky nuk është thjesht një vlerësim që bëhet në media sa për t’iu referuar prezantueses, por është një e vërtetë. Shqiptarët e duan shumë Xhemin, bukurinë e saj, elokuencën e fituar herët, por sidomos buzëqeshjen dhe pozitivitetin që ajo përcjell. Bukuroshja e “Top Channel” e do punën e saj dhe për dashurinë ndaj këtij profesioni bën edhe sakrifica, si dalja e shpejtë në “Portokalli”, pak muaj pas lindjes së djalit. Xhemi po kështu ka një jetë personale shumë të lumtur, me një bashkëshort që e dashuron e me dy djem që po i rrit me shumë përkushtim.

Në faqet tona rozë na lejohet që të zbulojmë edhe ca të vërteta të tjera dhe po iu tregojmë, për ata që nuk e dinë, se Xhemi, prej së vogli e deri sot që është e martuar, ka bërë një jetë shumë të mirë ekonomikisht. Mirëpo ajo asnjëherë, në asnjë rast nuk është shfaqur teksa lavdërohet për bukurinë që ka, për familjen e lumtur që gëzon apo për fatin e një jete luksoze. Xhemi Shehu është vajzë e thjeshtë, e dashur dhe tejet pozitive. Të dielën e kaluar ajo u rikthye, pas shumë vitesh, në drejtimin e spektaklit të humorit të “Top Channel”, “Portokalli”. Siç e thamë edhe më lart, ajo doli në ekran pas një kohe shumë të shkurtër nga lindja e djalit të dytë Gabriel, dhe i la të gjithë pa fjalë me formën e shkëlqyer fizike.

“Fakti që u ktheva në formën e mëparshme fizike, më dha dorë për rikthimin tim në punë, të cilin do ta quaja disi të parakohshëm. Dy fëmijë të vegjël, edhe pse me ndihmë nga gjyshet, mbeten sërish një lodhje e madhe dhe stërmundim. Mamatë që e kanë provuar më kuptojnë më mirë se për çfarë e kam fjalën”, rrëfen ajo duke qeshur, për “Bluetooth”. Më pas Xhemi tregon se “Portokallia” është një spektakël të cilin ajo e do shumë.

“U gjenda përballë zgjedhjes për të qenë sërish pjesë e ‘Portokallisë’, program që gjithmonë e kam dashur e kurrë s’do të mund ta refuzoja, as edhe në rastin konkret. Mendoj që nuk do të isha rikthyer kaq shpejt nëse do të bëhej fjalë për ndonjë program tjetër. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e spektaklit më të madh të humorit në Shqipëri e për këtë doja të falënderoja regjisorin që e drejton me sukses këtë trupë prej më shumë se dhjetë vitesh, Altin Bashën, për besimin që pati tek unë dhe për mundësinë që më dha”. Kur e pyesim për marrëdhënien me stafin e ‘Portokallisë’, prej të cilit Xhemi ka pasur një shkëputje të gjatë, ajo shprehet se marrëdhënia e mirë me ta ka mbetur e njëjtë si dikur.

“Me aktorët kam marrëdhënie shumë të mira. Më pëlqejnë karakteret e ndryshme që ata arrijnë të shfaqin me shumë mjeshtëri, por nuk mund të veçoj asnjërin prej tyre, pasi për mua janë të gjithë shumë të talentuar. Puna me ta është shumë e bukur, para dhe pas kamerave; kjo, falë energjisë që ata kanë e humorit që i veçon”. Në fund, ishim ne të “Bluetooth” që i treguam Xhemit një thashethem që qarkullonte për të. I thamë asaj, se gojët e liga flasin për një marrëdhënie jo të mirë me kolegen Eneda Tarifa. Madje ka nga ata që thonë se dy prezantueset nuk flasin me njëra-tjetrën. Xhemi na u përgjigj: “Nuk kemi pasur kurrë zënka, ndaj s’e di ku bazohen këto gojët e liga (qesh). S’kam asnjë arsye për të mos i folur Enedës. Unë kam një jetë që e ndaj skenën me të tjerë, e madje, sinqerisht ju them se mërzitem kur jam vetëm në të”./BW/

 

 

 

 

SHKARKO APP