Xhesika & Gogu, tallava online
Kanë kohë që këndojnë, por nuk kishin dalë kurrë në skena të rëndësishme dhe media serioze, derisa lëshuan deklaratat që lidhnin jetën e tyre private me njerëz të rëndësishëm të politikës.
“Unë kam bërë një status për deputetin, që ai ta shikojë përmes profilit tim, që jo të kesh para, jo të jesh deputet, por të jesh kushdo, unë nuk bëhem e jotja. Unë nuk blihem me para”, thotë këngëtarja Xhesika Ndoj.
“Unë kam thënë se, çmenduria e jetës sime është djegia e makinës së një ministri. Ajo nuk është deklaratë se kush është ministri, s’kam perfolur asgjë. Ajo ishte thjesht çmenduria ime”, thotë këngëtarja tjetër Nertila Marku, e njohur ndryshe si Gogu.
Një tallava lajmesh që mori dhenë duke u dhënë vajzave çastet e tyre të famës, ndonëse edhe më parë të tjera këngëtare kanë pushtuar për të njëjtën arsye faqet e mediave rozë.
Përveçse me ekspozimin e hireve, tanimë këngëtaret kanë nisur edhe luftën e deklaratave, ku në valle fusin edhe politikanë anonimë, në një biznes që mund të ketë lidhje me gjithçka, perveçse me muzikën që bëjnë.
“Mendoj që është një tendencë për të rritur kërkesën për to, duke shtuar ofertën dhe të përfitojnë një vlerë më të madhe të shërbimeve që kryejnë”, thotë psikologu Edmond Dragoti.
Ajo që shqetëson psikologët është jo vetëm niveli i lajmit dhe spektaklit që tanimë ofrojnë mediat, sidomos ato online, por edhe mesazhi që ato përçojnë duke u dhënë hapësirë të tilla informacioneve.
“Në këtë rast media ka sajuar një skup. Është një fenomen inekzistent në këtë rast, sepse nuk merret njeri me gjëra serioze, që lidhen me familjen, apo papunësinë. Është flluska e radhës e sapunit”, vlerëson Dragoti.
/ Top Channel