Ylli i kinemasë së viteve ’80 që u bë mjeke: Emigrimi në Francë si “askushi” më bëri të njoh veten
Ajo ka qenë pa dyshim një yll i kinemasë i viteve ’80. Anisa Markarian, një aktore e shkëlqyer, një mjeke anesteziste, më pas skenariste, autore librash, një grua shumë dimensionale.
Në vitin 1991 ajo do të largohej nga Shqipëria për të emigruar në Francë ku jeton edhe sot e kësaj dite.
E ftuar në Rtv Ora, Markarian tregoi sesi ka qenë ky dualitet mes të qënit një yll kinemaje dhe një mjeke e shkëlqyer.
Markarian: Asnjëherë profesioni nuk është ngatërruar me pasioni. Gjatë 5 viteve të Fakultetit të Mjekësisë refuzova çdo pjesëmarrje në filma për t’ju përkushtuar plotësisht mjekësisë. Megjithatë ky dualitet më ndihmon dhe sot. Jam urgjentiste dhe momentet e vështira si urgjentiste, për fat që kam artin që më balancon këtë ngarkesë adrenaline dhe përgjegjësie nga profesioni.
Me babai armen që i kishte shpëtuar genocidit dhe nënën shqiptare, Anisa do të linte pas të dy atdhetë.
Markarian: Bëhen 30 vjet që jetoj në Francë, është atdheu im i adoptimit. Ndihem qytetare e botës. I bëra vetes vendin aty ku shkova, me ndershmëri dhe punë.
Po sa i vështirë ishte integrimi në Francë?
Markarian: Kjo më bëri shumë shumë mirë, të jesh askushi. Po të kisha shkuar me mendjen që jam ylli i kinemasë do të më kishte bërë shumë dëm. Gati gati i them vetes bërë mirë që mërgove që të njohësh veten. Këtu në Shqipëri duke qenë e njohur nuk kisha nevojë të angazhohesha shumë dhe të harxhoja shumë energji, gjërat ishin shumë më të lehta, më hapeshin shumë porta. Njoha veten time, deri ku mund të shkoja me vullnetin tim. Kam pasur edhe fat, në shumë rrethana kam qenë personi i duhur, në vendin e duhur, në momentin e duhur.