Zanfina Ismaili pro Gjestit: Nga përvoja them se pronari i asaj kompanie ka qenë jo korrekt
Këngëtarja Zanfina Ismaili ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me rastin e reperit Gjesti, emri i vërtetë i të cilit është Besart Kelmendi. Reagimi i saj vjen pas raportimeve se Gjesti dyshohet se ka shkuar i armatosur dhe ka kanosur stafin e kompanisë Onima, e cila menaxhon të drejtat e tij autoriale në disa platforma muzikore.
Ismaili, e cila në të kaluarën ka qenë e njohur për hitet si “Partizani i Vogël” dhe “As i fundit, as i pari”, ka bërë një reagim të ashpër përmes një InstaStory, duke theksuar se nga përvoja e saj personale ka pasur një eksperiencë shumë negative me pronarin e Onima. Sipas saj, veprimi i nxituar i Gjestit mund të jetë rezultat i pakënaqësive të grumbulluara ndër vite.
“Këtë që e paska bërë Gjesti ndaj Onima, është veç një revoltë e njeriut që (jam e bindur) e kanë gënjyer gjatë dhe shumë. Frustrimi nuk vjen si rrufeja, jo! Ndërsa pronari i Onima ka qenë njeriu më jo profesional, më jo korrekt ndonjëherë. Po flas nga përvoja ime para shumë vitesh. S’paska ndryshuar aspak! Liri për Gjestin”, ka shkruar Zanfina në InstaStory. Gjesti po përballet me akuza nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për tri vepra penale, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet e drejtësisë.
KOHA JONË SONDAZH


