Denoncimi nga PD, QSUT: Shërbimi laboratorik vijon pa ndërprerje, duke garantuar kryerjen e analizave për pacientët
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bëri sot një reagim publik, pas denoncimit nga PD për ndërpreje të shërbimit laboratorik. Në reagim thuhet se ky lajm është i pavërtetë dhe i pabazuar. ”Shërbimi laboratorik në QSUT vijon pa asnjë ndërprerje, duke garantuar çdo ditë kryerjen e analizave për pacientët sipas nevojave të tyre mjekësore. Email-et e brendshme të komunikimit me stafin, të cilat janë interpretuar në mënyrë jokorrekte, nuk kanë lidhje me ndërprerjen e shërbimit”,-thuhet në reagimin zyrtar.
Deklarata e plotë
Në vijim të disa lajmeve të publikuara për ndërprerjen e shërbimit laboratorik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sqarojmë se: Ky lajm është i pavërtetë dhe i pabazuar. Shërbimi laboratorik në QSUT vijon pa asnjë ndërprerje, duke garantuar çdo ditë kryerjen e analizave për pacientët sipas nevojave të tyre mjekësore.
Email-et e brendshme të komunikimit me stafin, të cilat janë interpretuar në mënyrë jokorrekte, nuk kanë lidhje me ndërprerjen e shërbimit, por me: respektimin korrekt të protokolleve klinike dhe algoritmeve të frekuencës së kryerjes së testeve laboratorike sipas patologjive, si dhe menaxhimin me eficiencë të kostove dhe buxheteve të alokuara, në përputhje me praktikat e administrimit spitalor.
Theksojmë se volumi ditor i analizave dhe shpenzimet e përditshme të kryera janë të dhëna të aksesueshme nga kushdo ka interes në funksion të transparencës, ndaj ftojmë këdo të drejtohet në rrugë zyrtare QSUNT.
Përhapja e lajmeve të rreme dhe interpretimi i gabuar i komunikimeve zyrtare krijon panik të panevojshëm në popullatë dhe dëmton besimin ndaj shërbimeve tona. Prandaj, kërkojmë që çdo informacion të interpretohet dhe transmetohet me korrektësi.
KOHA JONË SONDAZH

