Krasniqi: AMA, rol monitorues dhe rregullues në zgjedhje
Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi ka pritur sot në një takim delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave (NAM), të dërguar në Shqipëri nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Ulvi Akhundlu, zëvendëskryetar i Departamentit Zgjedhor të ODIHR-it, Kakha Inaishvili, Këshilltar Zgjedhor i ODIHR dhe Sherif Abdili, përfaqësues i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Krasniqi tha se i është përgjigjur interesit të këtij delegacioni, me fokus mbi organizimin e punës së AMA-s, rolin rregullues dhe realitetin mediatik audioviziv, dhe jo vetëm, në Shqipëri.
“Temë e diskutimit ishte roli monitorues gjatë procesit zgjedhor, një detyrë që Autoriteti e kryen nga viti 2021. Në raportimet tona për KQZ gjatë zgjedhjeve, jepen të dhëna të identifikuara në: Edicionet informative; Emisionet debatuese/Forume; Reklamat politike; Mbulimet live të aktivitetit elektoral; Titrimet për TV informative; Aktivitetet e ndaluara të institucioneve publike dhe reklamat institucionale. Me delegacionin e NAM diskutuam edhe sfidën e ardhshme të AMA-s, atë të ngritjes së studios së re të monitorimit”, tha Krasniqi.
Sipas metodologjisë standarde të ODIHR, qëllimi i ekipit të NAM është vlerësimi i mjedisit parazgjedhor dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Bazuar në këtë vlerësim, NAM do të rekomandojë dërgimin e një misioni të ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vendin tonë, që i përshtatet nevojave të identifikuara.