Ndryshojnë tekstet shkollore, do të përshtaten sipas rekomandimeve të BE, në fokus dixhitalizimi

Brenda pesë viteve të ardhshme, tekstet shkollore në Shqipëri pritet të ndryshojnë ndjeshëm në funksion të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ministria e Arsimit ka miratuar programet e reja mësimore, të cilat do të shërbejnë si udhërrëfyes për hartuesit e teksteve dhe për mësuesit në procesin e përditësimit të kurrikulave në nivele të ndryshme arsimore.

Ekspertët e arsimit theksojnë se këto ndryshime duhet të jenë në përputhje me realitetin e nxënësve shqiptarë dhe jo thjesht kopje të modeleve europiane. Sipas Irsa Ruçit, eksperte e arsimit, Shqipëria ka kapacitetet njerëzore dhe intelektuale për të ndërtuar një sistem të vetin, që i përgjigjet nevojave të vendit, duke u bazuar në rekomandimet e Bashkimit Europian, por pa humbur identitetin arsimor kombëtar.

Një nga risitë kryesore të programeve të reja është përfshirja e teknologjisë në procesin mësimor. Dokumentet orientojnë përdorimin e internetit dhe të inteligjencës artificiale për të pasuruar njohuritë e nxënësve, për ta bërë mësimin më interaktiv dhe për të rritur motivimin e tyre. Edhe në lëndën e gjuhës shqipe, teknologjia shihet si mjet mbështetës për të zgjeruar burimet e të nxënit përtej tekstit shkollor.

Swiss Digital Desktop Reklama

Programi i përditësuar i gjuhës shqipe synon jo vetëm korrektësinë gramatikore, por edhe zhvillimin e aftësive komunikuese në situata të ndryshme shoqërore. Gjuha trajtohet si një shkencë që mban gjallë identitetin kulturor, duke u kërkuar nxënësve fillimisht ta kuptojnë strukturën e saj, e më pas ta përdorin në marrëdhënie njerëzore.

Swiss Digital Mobile Reklama

Risi tjetër e rëndësishme është qasja socio-emocionale në mësimdhënie, e cila synon zhvillimin e empatisë, edukimin qytetar dhe ndërtimin e një identiteti të vetëdijshëm te brezat e rinj, për t’i bërë ata më të mbrojtur dhe më aktivë në shoqërinë moderne.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?