“Nina’s Cat Cafe”, kafeneja e parë në Shqipëri me mace që mund të adoptohen

“Nina’s Cat Cafe”, është ambienti i parë dhe i vetëm në Shqipëri, ku klientët mund të shijojnë një kafe ndryshe, në shoqërinë e shtatë maceve të braktisuara apo endacake, që mund të adoptohen nga çdokush.

Kryeministri Edi Rama, ndau sot në episodin 10 të Podkastit “Flasim”, sezoni i 5, historinë e Ingridit, ideatores dhe themelueses së kësaj sipërmarrjeje që ndodhet në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet.

Ingrid tha se lokali funksionon si çdo bar tjetër, po përveç njerëzve aty ka dhe mace.

“Macet janë të gjitha të shpëtuara nga rruga dhe pasi i kryejmë të gjitha analizat dhe kontrollet e përgjithshme te veterineri, ne i mbajmë te lokali deri në momentin që ato adoptohen. Pasi adoptohen ne i ndjekim rastet me personat që i kanë adoptuar për të parë që janë në duar të sigurta”, tha ajo.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ingrid pohoi se lokali menaxhohet nga ajo dhe mikesha e saj Anxhela, që merret me pjesën e marketingut.

Swiss Digital Mobile Reklama

E pyetur nga Kryeministri Rama, se çfarë bëjnë macet në atë ambient, ajo tha se “macet vijnë vërdallë, kanë rutinën e tyre. Në mëngjes pasi ushqehen luajnë me njëra-tjetrën, vijnë klientët, më pas ato në drekë kanë orarin e gjumit dhe në darkë luajnë”.

“Për momentin kemi shtatë mace, por maksimumi i maceve që kemi mbajtur kanë qenë 10, pasi ambienti është i vogël. Unë kam menduar se do mbaja vetëm pesë, por duke parë nevojat dhe kërkesat e shumta të njerëzve që na kanë shkruar, nuk kisha çfarë të bëja tjetër”, tha Ingrid.

Sipërmarrësja e “Nina’s Cat Cafe” u shpreh se kafshët kanë qenë pasion i hershëm i saji, ndërsa Nina është emri i maces së parë që ajo ka adoptuar dhe për këtë shkak edhe bari ka marrë emrin Nina.

“Unë e kam pasur pasion për të gjitha kafshët, por para tre vitesh adoptova macen time Nina që ka marrë emrin lokali. Fillova të ushqeja macet në lagje, mbaja ushqim me vete deri sa arrita te ideja e lokalit në “Myslym Shyri””, tha ajo.

ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?