Një përqasje antropozofike për mësimin e Gjuhëve të Huaja sipas Rudolf Steiner

Nga Dr. Artemida Lenz

Filozofi austriak i fillimshekullit të 20, Rudolf Steiner, është themeluesi i pedagogjisë Waldorf dhe i shkollës së mendimit të Antropozofisë. Ai i ka dhënë rëndësi të veçantë zhvillimit të plotë të individit, si në aspektin mendor e fizik, ashtu edhe në atë shpirtëror. Një nga fushat e trajtuara prej tij është dhe mësimi i gjuhëve të huaja, bazuar në temperamentin e secilit.

Sipas tij, çdo fëmijë ka një strukturë të brendshme, një mënyrë unike të të perceptuarit dhe reagimit ndaj botës – e cila ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si mëson, sidomos kur bëhet fjalë për gjuhët e huaja. Mësimi efektiv duhet të përshtatet me këtë natyrë të brendshme të fëmijës – me temperamentin e tij, duke iu larguar uniformitetit dhe mësimdhenies në mënyrë të përgjithshme, kolektive, dhe duke iu referuar më shumë një përqasjeje personale të aftësive përthithëse të fëmijës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Se pari: pak njohuri e përmbledhur rreth temperamenteve: çfarë janë ato? Si e ndihmon njohja e temperamentit të çdo fëmije në klasë mësuesin për të organizuar një mësim sa të këndshëm e interesant, aq edhe frutdhënës për ta?

Swiss Digital Mobile Reklama

Steiner i ndante temperamentet në katër kategori themelore, të njohura e studiuara që nga lashtësia, nga tradita klasike greke:

  1. Koleriku – energjik, i vendosur, me vullnet të fortë.
  2. Sanguini – i përshtatshëm, i hareshëm por edhe lehtësisht i shpërqendruar.
  3. Melankoliku – i thellë, i ndjeshëm, introspektiv.
  4. Flegmatiku – i qetë, i ngadaltë, i qëndrueshëm.

Steiner ishte i mendimit që çdo fëmijë ka një temperament dominues, i cili ndikon ndjeshëm në mënyrën se si ai mëson, përthith informacionin dhe ndërvepron me gjuhët e huaja.

Mësimi i gjuhëve të huaja në shkollat Waldorf

Në sistemin Waldorf, mësimi i gjuhëve të huaja fillon që në klasat e para të shkollës fillore, shpesh me dy gjuhë të ndryshme. Qëllimi parësor nuk është vetëm mësimi i fjalorit dhe gramatikës, por zhvillimi i një ndjenje të thellë për gjuhën, kulturën dhe shpirtin e një populli tjetër. Mësuesi është udhëheqës i një procesi të gjallë, ku loja, poezia, kënga dhe imitimi janë mjete të rëndësishme mësimore – veçanërisht në vitet e hershme.

Ndërlidhja mes temperamentit dhe mënyrës së mësimdhenies

Steiner këshillon që për të qenë efektiv, mësimi duhet të përputhet me temperamentin e nxënësit.

  • Koleriku i nevojiten sfida dhe qëllime të qarta. Ai mëson mirë nëpërmjet ushtrimeve ku mund të tregojë aftësitë e tij, për shembull përkthime, garë me kohë ose role udhëheqëse në dialogë. Ai ka nevojë për strukturë, por edhe për liri të shprehjes.

Koleriku është energjik, me vullnet të fortë, ambicioz dhe i prirur të udhëheqë. Ai dëshiron të ketë ndikim dhe shpesh e shpreh emocionin në mënyrë intensive.

Në mësimin e gjuhëve të huaja:

  • Ka nevojë për sfida. Nëse detyra është shumë e lehtë ose e përsëritur, ai humbet interesin.
  • Mëson më mirë nëpërmjet ushtrimeve që përfshijnë konkurrencë, objektiva të qarta dhe strukturë.
  • Pëlqen rolet udhëheqëse në lojëra apo drama gjuhësore; e ndihmon të ndërtojë besimin dhe të kanalizojë energjinë.
  • Mund të zhvillojë një ndjeshmëri të madhe për gjuhën nëse përfshihet emocionalisht dhe i jepet mundësia të shprehë qëndrime dhe ide. Mësuesi duhet të përdorë forcën dhe pasionin e kolerikut për të nxitur përfshirjen aktive, por duke mbajtur ekuilibër emocional. Duke ju ngarkuar detyra me përgjegjësi, ai duhet edhe të mësojë durim dhe bashkëpunim.
  • Sanguini është i gjallë, shoqëror, i etur për përvoja të reja dhe i prirur ndaj ndjesive të menjëhershme. Ai kalon shpejt nga një aktivitet në tjetrin, është emocionalisht i lehtë dhe shpesh duket i shpërqendruar. Mëson mirë nëpërmjet aktivitetit, ndryshimeve të shpeshta dhe lojërave të gjalla. Për këtë temperament, ruajtja e interesit është thelbësore – mësimi duhet të jetë i larmishëm dhe dinamik.

Në mësimin e gjuhëve të huaja:

  • Ky fëmijë ka nevojë për shkëndija të vazhdueshme interesi. Një orë monotone mund ta humbasë shumë shpejt.
  • Mëson më mirë nëpërmjet lojërave, dramave të shkurtra, këngëve, rimave dhe përsëritjeve lozonjare.
  • Është shumë i mirë në imitim – aftësi që Steiner e vlerëson shumë në fazat e hershme të mësimit të gjuhës.
  • Nuk duhet ngarkuar me shumë rregulla gramatikore që në fillim. Për të do ishte më mirë t’i përjetojë frazat si strukturë e gjallë e tingullit dhe kuptimit. Është e rëndësishme që për sanguinin mësuesi të shmangë përsëritjet monotone, të mbajë gjithmonë lart entuziazmin, të sjellë larmishmëri e ngjyra në mësimdhenie.
  • Melankoliku është i thellë, i ndjeshëm, shpesh introvert, me një prirje për të reflektuar dhe përjetuar botën nga brenda. Ai mund të duket i mbyllur, por ka një botë të pasur të brendshme.

Në mësimin e gjuhëve të huaja:

  • Ka nevojë për lidhje emocionale me përmbajtjen. Poezitë, tregimet prekëse, legjendat dhe mitet i përthith në mënyrë të veçantë.
  • Mëson më mirë në një mjedis të qetë, të parashikueshëm dhe mbështetës.
  • Nuk duhet shtyrë drejt performancave publike pa dëshirë. Ndryshe, mbyllet emocionalisht.
  • Gramatika dhe struktura e gjuhës mund të jenë tërheqëse për të, pasi gjen rend dhe kuptim në to.

Mësuesi duhet të ofrojë ngrohtësi, mirëkuptim dhe kohë të mjaftueshme. Ky fëmijë ka nevojë të ndihet i pranuar dhe të ketë hapësirë për të përjetuar përmbajtjen në mënyrë personale. Një lidhje autentike me mësuesin është shpesh thelbësore.

Melankoliku përfiton më shumë nga reflektimi dhe lidhja emocionale me përmbajtjen. Diskutimet ku ai mund të shprehë ndjenjat dhe mendimet e veta janë të përshtatshme. Ai mëson mirë në mënyrë individuale dhe në një atmosferë të qetë.

  • Flegmatiku është i qetë, i qëndrueshëm, i duruar dhe jo shumë i nxituar. Ai mëson në mënyrë graduale, por të qëndrueshme dhe shpesh ka një sens praktik për gjërat.

Në mësimin e gjuhëve të huaja:

  • Ka nevojë për ritëm të qëndrueshëm dhe përsëritje të butë.
  • Mëson mirë përmes rutinave ditore, këngëve që përsëriten, ushtrimeve të strukturuara.
  • Nuk e preferon intensitetin ose ndryshimet e shpeshta.
  • I pëlqen të ndjekë një radhë logjike dhe ka durim për të përvetësuar gjuhën në mënyrë të thellë.

Mësuesi duhet të ruajë një strukturë të qartë dhe ritëm të qetë në mësim. Flegmatiku shpesh ka një potencial të madh për besueshmëri dhe qëndrueshmëri, nëse e ndjen se është në një mjedis të sigurt dhe të kuptuar.

Roli i mësuesit të gjuhës së huaj në klasë

Në qasjen e Steiner-it, mësuesi është më shumë sesa një dhënës informacioni – ai është një vëzhgues i ndjeshëm, i cili duhet të njohë temperamentin e secilit fëmijë dhe t’i përshtatë metodat e tij sipas kësaj njohurie. Kjo kërkon fleksibilitet, krijimtari dhe një thellim të vazhdueshëm në psikologjinë e fëmijëve.

Sipas Rudolf Steiner, mësimi i gjuhëve të huaja nuk është thjesht një proces intelektual, por një udhëtim i brendshëm që ndikon shpirtin dhe zhvillimin e fëmijës. Duke marrë parasysh temperamentin individual, mësuesi mund të krijojë një përvojë mësimore që jo vetëm zhvillon aftësitë gjuhësore, por edhe mbështet zhvillimin harmonik të personalitetit të fëmijës. Në këtë mënyrë, gjuha bëhet jo vetëm një mjet komunikimi, por edhe një urë drejt vetë-njohjes dhe njohjes së të tjerëve.

Si mund të ndihmojmë në optimizimin e këtij procesi?

Për të mbështetur në mënyrë efektive fëmijët në mësimin e gjuhëve të huaja, është e rëndësishme që si mësues, prindër apo edukatorë, të zhvillojmë një vështrim të ndjeshëm dhe individual ndaj secilit fëmijë. Ja disa mënyra konkrete për ta bërë këtë:

  1. Vëzhgimi aktiv i temperamentit
  • Të mos nxitojmë në etiketim, por të vëzhgojmë me durim: si reagon fëmija ndaj ritmit, detyrave, komunikimit dhe emocioneve?
  • Temperamenti shpesh shfaqet në mënyrën e të folurit, reagimit emocional dhe në mënyrën si fëmija përfshihet në grup.
  1. Përshtatja e metodave të mësimdhënies
  • Të përdorim teknika të ndryshme që pasqyrojnë nevojat e çdo temperamenti: më shumë lëvizje për sangvinikët, strukturë për kolerikët, thellim emocional për melankolikët dhe ritëm të qetë për flegmatikët.
  • Në vend që të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë, të ofrohet shumëllojshmëri në detyra dhe mënyra të të mësuarit.
  1. Krijimi i një ambienti të balancuar
  • Një klasë e balancuar nuk është ajo ku të gjithë janë njësoj aktivë, por ku secili fëmijë ka hapësirë të zhvillohet sipas natyrës së tij.
  • Steiner e thekson rëndësinë e ritmit të ditës dhe të përsëritjes së kuptimtë si mbështetje për çdo temperament.
  1. Forcimi i marrëdhënies mësues–nxënës
  • Marrëdhënia njerëzore është thelbësore: kur fëmija ndjehet i parë, i kuptuar dhe i pranuar, ai është më i hapur për të mësuar.
  • Njohja e temperamentit na ndihmon ta kuptojmë më mirë çfarë e motivon dhe çfarë e frenon fëmijën në procesin e të mësuarit.
  1. Bashkëpunimi me prindërit
  • Prindërit mund të jenë aleatë të vlefshëm në njohjen e temperamentit të fëmijës dhe në krijimin e një vazhdimësie midis shtëpisë dhe shkollës.
  • Komunikimi i hapur dhe mbështetës rreth mënyrës se si mëson fëmija është çelësi i suksesit afatgjatë.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?