SOKOL PAJA: ZJARRI APOKALIPTIK NË GREQI, SHQIPTARËT NË LUFTË ME FLAKËT

-Shkruar nga Sokol Paja, Editor i Gazetës “Dielli” (New York)-

Zjarret apokaliptike kanë përfshirë Greqinë. Situatën më të vështirë po e kalon ishulli i famshëm i turizmit Rhodes. Në çastet më të vështira për turistët e huaj që gjenden në Rhodes dhe popullsinë vendase, shqiptarët po japin një kontribut të jashtëzakonshëm në situatën e emergjencës së krijuar pas zjarreve përvëluese.

Ari Kasapi, kryetari i Komunitetit Shqiptar në Rhodes, i angazhuar prej 9 ditësh në shuarjen e zjarreve dhe evakuimin e popullsisë, në një rrëfim rrënqethës për Diellin e Vatrës në New York, shpjegon me detaje situatën e krijuar dhe luftën me flakët që po përpijnë gjithçka.

“Prej 9 ditësh po punoj maksimalisht bashkë me shumë shqiptarë të tjerë në shuarjen e zjarreve dhe emergjencën e rëndë të krijuar. Jemi marrë me evakuimin e njerëzve nga vatrat e zjarrit, akomodimin, strehimin, shoqërimin në aeroporte etj. Janë rreth 30 mijë pushues turistë të evakuuar. 9 fshatra në Rhodes janë avokuar totalisht si pasojë e zjarreve masive” rrëfen Ari Kasapi, kryetari i Komunitetit Shqiptar në Rhodes. Sipas tij janë rreth 2500 shqiptarë të prekur nga zjarri. Asnjë ska humbur jetën. Shqiptarët janë banues në Rodos, punojnë në Rodos dhe janë të avakuuar si pasojë e gjëndjes së jashtëzakonshme. Qeveria sipas z.Kasapi u kujtua veç në ditën e 5-të të zjarrit që të ndihmojë banorët dhe se shqiptarët treguan shpirt të madh human e komunitar në këtë emergjencë.

Ari Kasapi prej 3 vitesh shërben si drejtues i Komuniteti Shqiptar në Rodos. Falë punës e përpjekjeve të ekipit që ai drejton u arrit me Ambasadën Shqiptare në Athinë ardhja e grupit të Ambasadës një herë në vit për aplikimin të pasaportave shqiptare të qytetarëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Rhodes, kanë organizuar aktivitete artistitko-kulturore, veprimtari humanitare në shërbim të komunitetit shqiptar dhe kombit shqiptar. Primare e komunitetit është hapja e një shkolle shqipe për fëmijët shqiptarë në Rhodes. Si pasojë e situatës së rëndë të krijuar së fundmi, ka plot shqiptarë që ndihmojnë autoritetet greke në shuarjen e zjarreve. Sipas Ari Kasapit, kryetari i Komunitetit Shqiptar në Rhodes, shqiptarët jo vetëm i ndihmuan nga zjarret por edhe i strehuan në shtëpitë e tyre turistët e huaj, duke treguar një gjest të lartë humanizmi dhe fisnikërie. Shqiptarët e mërgatës, krenari e kombit tonë.

SHKARKO APP