10 blerjet më të çmendura të merkato së dimrit, mes tyre dhe Tunkara (FOTO LAJM)
Merkatoja e dimrit për këtë sezon ka qenë e zhurmshme, por edhe e paparashikueshme. Janë bërë lëvizje që askush nuk i priste, mes të cilave portali italian “Delinquentidelpallone.it” ka evidentuar ato 10 më të çmendurat. Personazhe që dukeshin të zhdukur dhe shifra të shpenzuara pa sens.
1 – Gerard Deulofeu dhe Daniel Starixh në Angli
Spanjolli kishte një përvojë bindëse me fanellën e Milanit, dhe do të ishte e dobishme për shumë ekipe të nivelit të lartë, por ai zgjodhi që të vazhdonte karrierën te skuadra e Uatfordit. Ndërkohë që Starrixh edhe pse pati shumë oferta në Itali, në fund zgjodhi që të transferohej te Uest Bromuiç.

2 – Sadik Umar, nga Roma te NAK Breda
Dikur konsiderohej si lojtari, i cili do të zëvendësonte Edin Dzekon te Roma, tani ka shkuar huazim në Holandë, në një skuadër të rastit, si NAC Breda.

3 – Sandro, nga Antaliaspor te Benevento
Duket si një transferim në “football manager”. Benevento ka marrë brazilianin Sandro, së fundi i aktivizuar në Turqi me Antaliaspor, i njohur te Totenhem.

4 – Mark Bartra, nga Borusia Dortmund te Betisi
Rënie e lirë për ish-lojtarin e Barcelonës, i cili, pas përvojës së dështuar te Borusia Dortmund, ka shkuar te Betisi. 10.5 milionë euro të shpenzuara ëpr të janë një shifër shumë e vogël duke e krahasuar me pritshmërit e larta që kanë qenë për të.

5 – Vagner Love, nga Alaniaspori te Beshiktashi
I kishin humbur gjurmët brazilianit Vagner Love, i cili u bë i njohur te CSKA dhe Flamengo. Pas Monakos, shkoi në Turqi, tek Alaniaspor, ndërsa tani është bashkuar me Beshiktashin. 34 goa në 44 ndeshje e kanë bindur klubin turk për ta transferuar, teksa do të ketë një detyrë të vështirë për të zëvendësuar Çenk Tosun.

6 – Ikardi e Levandovski tek Entela dhe Monopoli
Mos u habisni, se nuk po ju gënjejmë. Virtus Entela ka marrë nga Katanxaro mesfushorin Simone Ikardi, ndrsa Monopoli ka marrë portierin Mikel Levandovski nga Teramo.

7 – Bakambu, nga Vijareal te Beijing Gouan
Lojtari i Vijarealit është transferuar në Kinë. Drejtori sportiv i Beijing Guoan e ka marrë në Kinë, pasi më parë ka bërë të njëjtën gjë edhe me Renato Auguston dhe Xhonatan Sorianon. Sa ka kushtuar Bakambu? 40 milionë, një shifër e frikshme.

8 – Nagatomo, nga Inter te Gallatasaraji
Shumë e kanë dashur tek Interi dhe Çezena, por tani japonezi ka shkuar në Turqi, te Gallatasaraji. Ikën edhe “Samurai i fundit” për Spaletin, i cili duhet të gjejë një tjetër mbrojtës krahu në verë, pasi Nagatomo e nisi mjaft mirë këtë sezon.

9 – Lasana Diarra, nga Al Zhazira te PSG
E vështirë të gjesh motiv pse lojtarëve si Rabiot, Verrati, Draksler apo Pastore, u shtohet edhe Lasana Diarra, që ka ardhur te PSG, pasi ishte pa kontratë dhe duke i shtuar faktin se ai ka luajtur vetëm 5 ndeshje të Al Zhazira, ky transferim bëhet edhe më i habitshëm.

10 – Mamadu Tunkara, nga Lacio te Flamurtari
I ka pëlqyer ndoshta emri i Flamurtarit dhe fakti i të luajturit në Superiore në Shqipëri. Po Flamurtari çfarë ka pëlqyer tek ai? Një sulmues që në 4 vitet e fundit numëron disa dhjetra ndeshje dhe … një gol të shënuar. Entuziast për aventurën e re, por sa do të luajë? Kjo mbetet për t’u zbuluar.

KOHA JONË SONDAZH

