10 mijë aplikime për bileta në ndeshjen ndaj Polonisë në Varashavë
Interesi i tifozëve shqiptarë për ndeshjen mes Polonisë dhe Shqipërisë ka qenë i jashtëzakonshëm. Brenda më pak se 24 orëve nga hapja e aplikimeve, rreth 10 mijë tifozë kuqezinj kanë kërkuar të sigurojnë një vend në stadiumin National Stadium Warsaw për sfidën e 26 marsit.
Sipas burimeve pranë FSHF, rreth 5 mijë aplikantë kanë kërkuar nga dy bileta, duke e bërë procesin e përzgjedhjes edhe më konkurrues. Fituesit do të përcaktohen përmes një shorti rastësor, çka do të thotë se jo të gjithë aplikantët do të kenë mundësi të ndjekin ndeshjen nga stadiumi.
Bazuar në rregulloren e UEFA, tifozët miq kanë në dispozicion vetëm 5% të kapacitetit të stadiumit, pavarësisht përpjekjeve të federatës shqiptare për të siguruar më shumë bileta. Në total, rreth 3,500 tifozë shqiptarë do të jenë të pranishëm në sektorin për miqtë.
Kombëtarja shqiptare synon të marrë një rezultat pozitiv në këtë përballje vendimtare, për të vijuar rrugën drejt kualifikimit në Botëror. Në rast kualifikimi, kuqezinjtë do të përballen me fituesin e çiftit mes Suedisë dhe Ukrainës, në një fazë me eliminim direkt.
KOHA JONË SONDAZH

